Partia Demokratike ka hequr dorë nga revolucioni. Ajo tashmë ka objektiv zgjedhjet e parakohshme pa asnjë kusht. Ne Ramën, pa Ramën, duhen zgjedhje. Madje siç duket kur të dojë shumica, mjafton që të quhen se janë të parakohshme. Këtë ka bërë të ditur në një intervistë për News24, nënkryetari i partisë, Edi Paloka, që ndër të tjera tha:

Ne do të vazhdojmë me protesta, sepse thashë protesta është mënyra e reagimit qytetar. Ne do të vazhdojmë e do përgatitemi edhe për hapa të tjera. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

13 tetori ishte një datë perfekte edhe për vetë Ramën, që do të kishte mundësi të zgjidhte kandidatë, por ai prapë procesin e shkatërroi. I vetmi që propozon datën është presidenti dhe nëse presidenti e ka gabim, këtë datë e hedh poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese

sqaroi nënkryetari i partisë opozitare.

Asnjë analizë për atë që ndodhi, asnjë fjalë për dështimin spektakolar të pranverës që lamë pas, asnjë pipëtimë për tezën “s’ka zgjdhje me Edi Ramën kryeministër”. Vetëm një kthesë për të riintegruar PD-në në sistem, në atë sistem të cilin e anatemoi dhe e shpalli antikushtetues, kriminal, mafioz etj..

PD-ja nis zyrtarisht pra fazën e lypjes së zgjedhjeve të parakohshme në këmbim patjetër të syve qorr dhe veshëve shurdh për aferat e qeverisë dhe për reformën në drejtësi. Kush e futi në këtë derxhe? Kursi i vet kundër sistemit? Jo. Thjesht dobësia e saj dhe implikimi i gjithënashëm. Në fund të fundit një gjë u kuptua nga kjo krizë: kemi një kryetar PD-je që nuk shkon dot më shumë sesa një zëdhënës dhe një president komik, të cilit zyra ku e kanë vënë të rrijë e bën të duket si partizani Meke.