U mendua se ishte një rrokadë e organizuar në terren. Amerikanët dilnin jashtë sepse nuk dëshironin më të luftonin në Siri, turqit hynin brenda. Presidenti amerikan Donald Trump e mbrojti tërheqjen me faktin se SHBA nuk ka pse të angazhohet në luftëra të pafundme tribale që zhvillohen prej qindra vjetësh. Kur sapo u duk se pazari ishte mbyllur, plasi çështja kurde. Po me kurdët? Si mund të braktisen ata kaq kollaj?

Trump dhe më pas, sekretari i Shtetit, Mike Pompo përmes një interviste nga Nashville, u mbrojtën duke thënë se kurdët do të kenë mbështetjen e SHBA-së dhe se kjo e fundit ka dhënë shumë lekë për ta. Mediat kundërshtare të Trump kanë vijuar dita – ditës që të flasin për krime të Turqisë në Siri. Madje fare pa filluar operacionet, krimet ishin paradhënia e tyre për publikun.

I bindur ndaj këtij presioni publik, Trump ka njoftuar dje përmes Facebook se do të miratojë së shpejti një urdhër ekzekutiv për sanksione ndaj Turqisë dhe zyrtarëve turq që shkon nga sanksionet financiare, në bllokimin e pronës dhe ndalimin e hyrjes në SHBA.

Jam plotësisht i përgatitur që të shkatërroj menjëherë ekonominë e Turqisë nëse liderët turq vazhdojnë të ecin në këtë shteg të rrezikshëm dhe shkatërrues

shkruan Trump.

Ky është ndoshta rasti i parë që SHBA i vendos sanksione një vendi partner dhe me të cilin ndan sigurinë përmes NATO-s. Problemi i sanksioneve ndaj Turqisë vendos në pikëpyetje serioze vetë Aleancën dhe funksionimin e saj, edhe për shkak se një dy ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg deklaroi se Turqia e ka njoftuar Aleancën për sulmin e vet në veri të Sirisë.

Më tej akoma, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk e ka vënë në dukje këtë fakt, kur teksa është pyetur për mbështetjen e Shqipërisë, ka deklaruar se si anëtarë të NATO-s, Turqia mendon se e ka me vete Shqipërinë në këtë zhvillim. Mirëpo çështja nuk është kaq e thjeshtë. Të paktën për Shqipërinë. E cila ka disa llogari të hapura si me SHBA-të ashtu edhe me Ankaranë zyrtare.

Së pari, Tirana zyrtare nuk ka asnjë prononcim për operacionin ushtarak të nisur nga Turqia. Kohët kur z. Rama fliste për kasapin Assad dhe kur vendi ynë llogaritej si pikë e asgjësimit të armëve kimike siriane, ka perënduar dhe z. Gent Cakaj nuk ngjan të zëvendësojë kënd në këtë rol.

Nisur nga kjo heshtje gjithçka mund të spekullohet. Në Shqipëri strehohet opozita iraniane e MEK, 3000 anëtarë të së cilës jetojnë në një kamp në Manëz, që financohet dhe menaxhohet me para amerikane, e brenda të cilit kryhen aktivitete mirëfilli politike dhe sipas disa burimeve edhe ushtarake. Kampi i Manzës është e vetmja arsye që zyrtarë të lartë amerikanë si ish-sekretari i Shtetit, John Kerry apo këshilltari i tanishëm i Donald Trump, Rudy Giuliani kanë vizituar Shqipërinë. Për këtë arsye qeveria e z. Rama e ka thuajse të pamundur që të dalë kundër një politike amerikane të momentit, jo vetëm për interesa që nuk dihen nëse përkojnë apo jo me ato të Shqipërisë, por edhe që cenojnë garancitë amerikane për qeverinë e tij.

Nga ana tjetër, z. Rama ka lënë të kuptohet se ka një miqësi të veçantë me presidentin turk Erdogan që në fakt nuk ka kërkuar ndonjë gjë në këtë rast. Të paktën publikisht. Por duke marrë shkas nga situata e krijuar me Rezolutën e OKB-së për Jeruzalemin dhe sjelljen e amerikanëve pas votimit, është teorikisht e mundshme që Shqipëria të vihet në provën e një zgjedhjeje. Qoftë edhe për faktin se nëse sanksionet miratohen nuk dihet sesi do të shkohë marrëdhënia Turqi-ShBA.

Në Shqipëri jeton edhe një pjesë e opozitës guleniste, për të cilët Erdogan ka ngritur zërin, por pa e vënë në siklet mikun e tij Edi, në ndryshim nga Kosova që dëshmoi rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq pa dijeninë e kryeministrit.

Ndaj pyetja se ku qëndron Shqipëria në këtë që po ndodh është aktuale dhe jo retorike. Mund të mos kishte kuptim të shtrohej ajo nëse vendi ynë, qeveria e tij do të ndiqte një politikë të jashtme më modeste në kuptimin e zhurmave dhe spektaktlit, më realiste, me më pak pronocim për çështje që nuk i takojnë. Por të jesh lider ballkanik dhe të mbash profil të ulët ngjan e pamundur, ndaj edhe për Sirinë dikur do flitet edhe në Tiranë.