Turqia ka rënë dakord për një armëpushim pesë-ditor në Siri, me kushtin që gjatë kësaj kohe  forcat kurde të tërhiqen nga kordoni i sigurisë në verilindje të vendit.  Erdogan vendosi të ndalë sulmet pas katër orë bisedimesh me zv/presidentin amerikan, Mike Pence.

"Pala turke do të ndalojë Operacionin e Burimit të Paqes në mënyrë që të lejojë militantët e YPG të tërhiqen për 120 orë. Të gjitha operacionet ushtarake të emërtuara Burimi i Paqes do të pushojnë dhe  e gjithë ndërhyrja do të ndërpritet pas përfundimit të tërheqjes"-tha Pence në konferencën për shtyp.

I pari që reagoi ishte  Presidenti amerikan Donald Trump, i cili i quajti "lajme të mrekullueshme ato të ardhura nga Turqia", duke shtuar se "miliona jetë do të shpëtojnë" dhe duke falënderuar Presidentin turk Erdogan. Zv/presidenti amerikan mbërriti në Turqi për të kërkuar ndërprerjen e operacionit ushtarak të quajtur "Burimi i Paqes", me të cilin Turqia kërkon të pastrojë nga luftëtarët kurdë YPG një "zonë të sigurt" 32 km të gjatë në kufirin sirian. Siç tregojnë edhe pamjet, takimi nuk ka kaluar në ndonjë klimë shumë pozitive.