Kryeministri i vendit është i gëzuar. Thirrja e tij për solidaritet funksionoi. Shqiptarët u futën të gjithë në kuvli, ndërkohë që mjekë dhe infermierë i janë përgjigjur thirrjes së tij.

Lajmi i mirë është se deri tani i janë përgjigjur thirrjes 497 mjekë dhe 617 invermierë. E përsëris që të gjithë mjekët dhe infermierët që paga e marsit do të jetë me një bonus prej 1 mijë eurosh. Ky bonus do t’u jepet edhe gjithë vullnetarëve që do të thirren në front. Është më e pakta që mund të bëjmë

tha sot nga avllia e vilës së tij në Surrel z. Rama. 

Ku shkoi mjekësia e rilindur? Ku shkoi mjekësia falas? ku është disiplina financiare e një vendi që pretendon rritje 5%? Ku është financimi i ekonomisë?

Pse u lejuan mjekët të ikin nga vendi? Çfarë kuptimi kishte propaganda e punësimit të infermierëve në Gjermani?

Rrini në shtëpi! Jeni të sigurtë! Po, do kalohet kjo fazë, por sa e sigurtë është e ardhmja jonë? Ka vallë sot një shqiptar të vetëm të mos ketë menduar të ikë një orë e më parë nga ky vend? Kufijtë u mbyllën, askush nuk na pret më? Ku do kurohemi? Kush do na shërbejë? Shëndetësia e z. Rama që është trembur si djalli nga temjani?

Kjo karantinë ndërkombëtare provon se Shqipëria nuk është as e të varfërve dhe as e të pasurve përderisa nuk arriti në kaq vjet të vërë një tullë në themelin e një shteti që duhet të ketë disa shërbime minimale dhe garanci për qytetarët.