Administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat ka dhënë autorizim për përdorimin e një testi të ri për CoVid-19 zhvilluar nga universiteti i Yale. 

SalivaDirect është një mënyrë testimi përmes pështymës dhe synon të verifikojë sidomos asimptomatikët. Sipas të dhënave të deritanishme, testi i pështymës ka ndjeshmëri të afërt me atë të tamponit që e merr masën për testim nga hunda dhe fyti. 

Testi është më pak i kushtueshëm dhe më i thjeshtë sesa tamponi aktual, ndërkohë që mund të përdoret me disa lloj reagentësh dhe instrumentesh duke e bërë atë shumë fleksibël. 

Po kështu varianti i zhvilluar aktualisht nuk ka nevojë për tuba pasi është konstatuar se virusi qëndron në pështymë për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër aprovimi i testit krijon kushte reale për testim dhe hetim epidemiologjik masiv dhe të shpejgë duke kufizuar në maksimum mundësinë e përhapjes së virusit.