Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur të mos marrë më në shqyrtim çështjet e pronësisë që depozitohen pranë saj nga ish-pronarë shqiptarë, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre përballë shtetit. Një listë prej 77 çështjesh të dërguara në këtë gjykatë nga ish-pronarët janë kthyer mbrapsht me argumentin se drejtësia shqiptare i ka tashmë mekanizmat për t’i trajtuar.

Kërkesat në fjalë janë depozituar në GJEDNJ në periudhën midis viteve 2010 dhe 2015 dhe kanë të bëjnë me mosekzekutimin e zgjatur të vendimeve përfundimtare, të cilat u kanë njour të drejtën e kompensimit ish-pronarëve, në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara apo të shtetëzuara nga ish-regjimi komunist.

GJEDNJ vlerëson se Ligji për Trajtimin e Pronave, i miratuar në vitin 2015 nga Parlamenti shqiptar dhe që ka hyrë në fuqi nga 24 shkurti i vitit 2016, ka të gjithë mekanizmat për të trajtuar pretendime të kësaj natyre. GJEDNJ sjell si referencë çështjen e familjes Beshiri dhe 11 kërkesa të tjera kundër shtetit shqiptar, të cilat me një vendim përfundimtar i deklaroi të papranueshme në maj të këtij viti.

Sipas GJEDNJ, të gjitha rastet e listuara janë të ngjashme me rastin Beshiri dhe duhet të bien nën fushë-veprimin e ligjit të miratuar në 2015 nga Parlamenti shqiptar.