Media të ndryshme lokale në Jug po raportojnë për një protestë të disa banorëve të Nivicë Bubar të cilët janë mbledhur para gjykatës së Gjirokastrës, kur pritet të shqyrtohet çështja e Kakomesë. Nga sa shihet në video, banorët thonëse kërkojnë pronën e tyre, brenda ligjit dhe asgjë më shumë, duke akuzuar Sali Berishën, Fatos Nanon dhe Edi Ramën si fajtorë për zvarritjen gati 30 vjeçare.

Po të jetë për fshat turistik ne e gjejmë vetë një sheik andej nga Arabia dhe e bëjmë fshatin. Jo ta bëjë Luan Leka, Dritan Çela apo Edi Rama

thotë një nga banorët.

Sipas tyre kudo ku të shkosh sot, aty u thuhet se:

Gjykatën e bllokon Edi Rama. Keni të drejtë, por s’kemi çfarë të bëjmë se na marrin në telefon nga Tirana. Këtë na thanë nga ASHK-ja

Më tej ata shprehen se Kakomeja është e Nivicës dhe nuk ka shans që atë ta përvetësojnë të tjerë.

Nuk ka shanse jo Luan Leka, po të ngrihet gjyshi dhe këlyshi nuk e marrin dot

thotë një nga banorët.

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur që çështja t’i kalojë Gjykatës së Vlorës për mungesë kompetence, një vendim që konsiderohet absurd.

Në kuadër të këtij raportimi thuhet se banorët kanë bërë padi edhe për ish-kreun e ALUIZNI-t, Shaban Memia, që akuzohet si përgjegjës për privatizimin nga i cili ka përfituar 110 ha të hipotekuar biznesmeni Luan Leka, nga të cilat 20 ha thuhet se janë në gjirin e Kakomesë.