Bota e sotme gëlon nga tipa që duan të bien në sy. Edi Ramën e kemi në Shqipëri, një dikush që ekziston për të rënë në sy. Dhe bën çmos, shpenzon kohë, energji dhe para që të duket si pallo(sh)i më shumëngjyrësh në katundin tonë. Ka zgjedhur ngjyrat ta bëjë këtë se atë zeje njeh më mirë. Mirëpo edhe të ankohemi shumë nuk ka kuptim. Sepse në një kohë si jona ku jemi pjesë e të njëjtit realitet informative global, kupton se të tillë qenkan ngado.

Nuk ka javë që presidenti i Francës p.sh të mos dalë me ndonjë ide që tingëllon si brilante; Macron është i obsesionuar sidomos në propozimin e strategjive që duken grandioze, që sfidojnë status quonë, që shtyjnë horizontet. Për aq sa kuptojmë nga jashtë, zotëria nuk bën gjë tjetër veçse atë trukun banal që e njohim të gjithë: del në lajme si lajm. Pas strategjive për Europën, Rusinë, Amerikën, Mesdheun Lindor dhe Afrikën Subsahariane dhe atë Magrebine, Macron i është kthyer një objektivi social: një shoqëri pa duhanpirës.

Gjatë një fjalimi të mbajtur me rastin e Ditës Botërore të Kancerit Macron ka premtuar shtim me 50% të fondeve për kërkimin për kancerin duke folur se ky objektiv synon reduktimin e “vdekjeve të shmangshme”.  Macron ka premtuar po ashtu se do të shtojë përpjekjet publike për të ndikuar në shoqëri që të heqë dorë nga duhanpirja që shpesh quhet edhe ves.

Synim është të ulimin numrin vjetor të vdekjeve të shmangshme nga kanceri nga 150 000 në 100 000

është shprehur presidenti francez.

Më tej ai ka shpalosur edhe pjesën e bukur, ëndërrimtare të këtij projekti: 

Dëshiroj që njerëzit që do jenë 20 vjeç në vitin 2030 të jenë brezi i parë joduhanpirës në historinë e afërme

Sigurisht që presidenti francez ka talent për të shfaqur ide. Problemi me këto qasje qëndron te roli i shtetit që kalon nga rregullator dhe garantues i disa parimeve dhe kontratave sociale, në prindërim publik, duke këshilluar fillimisht shoqërinë për gabimet që bën, e mandej duke i sterilizuar ato. Është thuajse fyese të dëgjosh një kryeministër, një president, pra dikë që ka fuqi ekzekutive për të bërë disa punë, të marrë pamjen e mësuesit të popullit, të babait zemërmirë që ruan fëmijët e grigjës nga veset. 

Është fyese sepse tradhëton një keqkuptim të pushtetarit me kuptimin që ka mbi pushtetin, tradhëton një vizion kapanoni për të ardhmen, ku duke qethur veset dhe gabimet e shoqërisë, projektojmë një model të ri njeriu që i ngjan përherë e më shumë kopertinës. Macron vetë priret drejt mashkullit të kopertinës, tek ai nuk mund të dallosh asnjë gjurmë të jetës jashtë zyre. Ai është incidenti politik i kohës sonë, një i parashutuar nga realiteti i mediave sociale në politikë, si shumë të tjerë. Dhe si produkt i një show, po kërkon të mbajë të përthithur audiencën. Duke bekuar me mençurinë e vet shoqërinë.

Kujt vallë i duhen të tillë në krye të ekzekutivit, ndërkohë që për ironi, edhe religjioni po bëhet më praktik?