Varianti i koronavirusit që u shfaq fillimisht në Afrikën e Jugut mund t’i bëjë rezistencë asaj që deri tani është konsideruar si vaksina më e mirë. Një studim laboratorik sugjeron që ky variant mund të zvogëlojë mbrojtjen e antitrupave nga vaksina Pfizer Inc/BioNTech me dy të tretat. Mbetet e paqartë nëse vaksina do të jetë efektive kundër mutacionit, citon Reuters dy kompanitë prodhuese.

Nisur nga kjo, dy kompanitë prodhuese po bisedojnë me rregullatorët për zhvillimin e një versioni të azhurnuar të vaksinës së tyre mRNA ose një dozë të përforcuar, nëse është e nevojshme.

Për studimin, shkencëtarët nga kompanitë dhe Universiteti i Teksasit (UTMB) zhvilluan një virus që përmbante të njëjtat mutacione si variant i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, i njohur si B.1.351. Proteina Spike, të cilën virusi e përdor për të hyrë në qelizat njerëzore, është objektivi kryesor i shumë vaksinave COVID-19.

Studiuesit testuan virusin e prodhuar në laborator në gjakun e marrë nga njerëzit të cilëve u ishte bërë vaksina dhe gjetën një ulje me dy të tretat të nivelit të antitrupave neutralizues krahasuar me efektin e virusit të zakonshëm.

Gjetjet e studimit u botuan në New England Journal of Medicine (NEJM).