Shtëpia e liderit të Hamasit, Yehiyeh Sinwar,  është bërë shënjestra e ushtrisë izraelite gjatë natës. Ndërsa luftimet vijojnë në Rripin e Gazës, një zëdhënës i ushtrisë shtetërore hebraike tha se udhëheqësi i lartë i Hamasit ka të ngjarë të fshihet brenda territorit palestinez.

Hamas dhe grupi militant i Xhihadit Islamik kanë raportuar se 20 luftëtarë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve, ndërsa Izraeli thotë se shifra reale është shumë më e lartë. Sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite, pamjet e videos më poshtë tregojnë momentin kur goditet nga ajri shtëpia e Sinwar.

Videoja bardh e zi, sipas ushtrisë izraelite, është kapur nga kabina e aeroplanit. Konflikti i riaktivizuar mes Izraelit dhe Palestinës vijon prej një jave dhe deri më tani ka shkaktuar vdekjen e të paktën 145 palestinezëve në Gaza - përfshirë 41 fëmijë dhe 23 gra - dhe tetë viktima nga pala izraelite, përfshirë një fëmijë 5-vjeçar.