Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Pasi mori në shqyrtim edhe opinionin e Komisionit të Venecias, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të përfaqësuar nga Voltana Ademi, për kushtetutshmërinë e regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike në zgjedhje.

Në korrik 2019, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë iu drejtua Kushtetueses me  kërkesën për konstatimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të atij viti.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të verifikojë kushtetueshmërinë e veprimtarisë së Partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor.

Në qershor të këtij viti, Kushtetuesja iu drejtua Komisionit të Venecias me tre pyetje lidhur me çështjen në shqyrtim.

Dy javë më parë, ekspertët e Venecias arritën në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese shqiptare nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore.

 “Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor”, thuhet në opinionin e Venecias.

Duke marrë në shqyrtim edhe këtë të fundit, në vendimin final, gjykata më e lartë e vendit i ka shpallur kushtetuese zgjedhjet vendore të 23 qershorit të 2019-s.