Kryeministri e nisi sot me pensionistët shpjegimin e Paketës së Rezistencës Sociale, duke kërkuar t’i jepet kohë situatës së krijuar në lindje të Europës, që ka ndikuar në rritjen e çmimeve.

Edhe “Jelekët e verdhë” që janë protestuesit më të çmendur në botë, që e dogjën Parisin dhe e bënë shkrumb e hi, për shumë më pak nga sa janë rritur çmimet sot të karburantit apo të mallrave të tjera. Edhe “Jelekët e verdhë”, sot, nuk protestojnë sepse të gjithë protestuesit e botës i kanë dhënë kohë kohës dhe respektojnë viktimat atje, se e dinë që vendi i tyre është futur në një luftë, pavarësisht se avionët nuk vijnë mbi kokat e tyre.

Në sheshin para Kryeministrisë sot po mbahet protesta e gjashtë radhazi kundër rritjes së çmimit të karburanteve, që ka ndikuar menjëherë në rritjen e çmimit të mallrave dhe shërbimeve bazë. Por Rama, protestën e qytetarëve, nuk e sheh të ndarë nga politika. Atë që para pak ditësh e emërtoi “pakicë të zhurmshme”, Rama e akuzoi për ndjekjen e një skenari të ngjashëm me atë që do të donte vetë Rusia.  

Sa për protestën, ajo është një turp kombëtar, i organizuar nga sharlatanë e delirantë që kujtojnë se u erdhi ora dhe i furnizuar me njerëz nga nongratat e shpallur e të pashpallur, një amalgame qeniesh që atdheun e dinë shesh për të bërë përshesh, e që e bënë Shqipërinë të vetmit vend në botën demokratike, ku protestohet për çmimet që rriti lufta, tamam siç do t’i donte Kremlini të tëra sheshet e Europës sot, ku të tjerët protestojnë kundër luftës në Ukrainë, e jo për pasojat e para të saj mbi çmimet!