Si në çdo situatë problem kryesor që do të mbetet është narrativa, ajo që njerëzit besojnë, apo qëndrimi që ata marrin. Në luftën aktuale në Rusi, krijohet ideja se vetëm një pjesë e rusëve e kuptojnë atë që Putin po bën dhe se gjithë bota ose është kundër, ose qëndron neutrale. Deri më tani, argumenti bazë që e izolon Rusinë është sulmi mbi një vend sovran, por ky argument do të qëndrojë në këmbë si pjesë e shqetësimit publik deri në momentin kur sanksionet të kenë gjeneruar një faturë e cila tejkalon shkeljen e sovranitetit të një vendi.

Aktualisht, narrativa ruse vuan nga disa probleme kryesore, ndërkohë që zërat se kjo që po ndodh është deri diku një luftë e provokuar nuk mungojnë. Dhe ato përshfaqin një konsolidim të pozicionit antiperëndimor që është paradigmë për një ndarje të re të botës. Regjizori Emir Kusturica ka deklaruar për “RT” se kjo që po ndodh është trashëgimi e një rusofobie të shtresëzuar historikisht dhe të një refuzimi ndaj ofertës për bashkëpunim që sipas tij Rusia ka bërë.

Kusturica ka kujtuar edhe bombardimin e Serbisë i cili zgjati për 3 muaj derisa erdhi dorëzimi, një narrativë kjo e brendshme e serbëve e cila patjetër që ka lënë shije dhe gjurmë në raportin e tyre me Perëndimin. Qasja në këtë mënyrë ilustron në mënyrën më domethënëse se bota e zhvilluar duket se nuk ka as sot një konsensus relative mbi atë që ndodhi në Luftën II Botërore, përgjegjësitë mbi krimet e kryera përderisa nga një anë shohim akuzën për restaurim imperial, nga ana tjetër pretendimin për denazifikim. Zinxhiri I interpretimeve nuk ndalon askund në histori dhe sot Europa është kapur mat në qelinë e problemeve ta bartura historike me Lindjen e vet, të cilat si të tilla vënë në diskutim rolin dhe rëndësinë e demokracisë si kuadër trajtues i tyre apo edhe zgjidhje. Zgjidhja e pranuar nga Gjermania pas lufte me Poloninë është padyshim një përjashtim i lumtur, përgjithësimi i të cilit mund të jetë një gabim fatal.

s.zaimi