Moska dhe Kievi zhvilluan sot një tjetër raund bisedimesh në Stamboll. Në përfundim të takimit ndërmjet delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit rus, tha se bisedimet ishin konstruktive. 

Rusia bën të ditur, siç raporton Ria Novosti, se janë hedhur dy hapa të rëndësishëm gjatë bisedimeve: në sferën ushtarake - një reduktim drastik i aktivitetit ushtarak në drejtimet e Kievit dhe Chernihiv dhe në sferën politike - mundësia e një takimi midis Putinit dhe Zelenskit njëkohësisht me nënshkrimin e traktatit të paqes nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve.

Diplomatët rusë dhe ukrainas u takuan sot në kryeqytetin turk, një lokacion i ri në përpjekjet e palëve për një zgjidhje diplomatike. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u parapriu këtyre bisedimeve me një thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke shtuar se “duhet të presim rezultate solide”.