Në Kamerun është rishfaqur kolera. Sipas shifrave të Ministrisë vendase të Shëndetit Publik, që nga shkurti janë regjistruar mbi 6 000 të infektuar dhe kanë humbur jetën 100 prej tyre.

Në disa zona është vendosur karantina. Limbe është zona më e prekur. Që prej shkurtit, atje janë regjistruar të paktën 800 raste.

Linda Esso, drejtore e epidemive dhe pandemive në Ministrinë e Shëndetit Publik të Kamerunit, tha se kolera është përhapur në më shumë se 40% të qyteteve kryesore, duke përfshirë kryeqytetin, Yaounde, kryeqytetin ekonomik, Douala dhe qytetet tregtare perëndimore si Buea, Limbe dhe Bafoussam. Esso tha se shumë fshatra kanë raportuar raste të kolerës dhe i gjithë vendi kërcënohet nga shpërthimi.

Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, dërgoi ministrat e shëndetësisë dhe ujit këtë javë në zonat e prekura nga kolera për të vlerësuar situatën.

Ministrat thonë se mungesa e ujit të pijshëm të pastër në qytete dhe fshatra, të shkaktuar nga sezoni i gjatë i thatë, është bërë shkak për rritjen e infeksioneve të kolerës.

Burgu i Neë Bell i Douala është bërë një epiqendër e kolerës.

Kameruni vuan nga shpërthime të shpeshta të kolerës. Një nga më të rëndat, në vitin 2011, infektoi më shumë se 23 000 njerëz dhe vrau më shumë se 800.