Në një aktivitet të mbajtur nga shoqata e bankave, “Dixhitalizimi kundrejt parasë fizike:, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka hedhur idenë e krijimit të atij që e quajti depozitar të të dhënave biometrike.

Pavarësisht parashikimeve ligjore e rregullative në lidhje me këto çështje, zbatimi në praktikë ka dëshmuar se mbart problematika të karakterit teknik. Për këtë qëllim, do të inkurajonim bashkëpunimin e gjithë institucioneve dhe aktorëve të tregut për të tejkaluar problematikat që mund të lindin në lidhje me: parandalimin e pastrimit të parave; nënshkrimin elektronik; lidhjen e kontratave në distancë; promovimin e përdorimit të dokumenteve elektronike dhe informacioneve të nevojshme gjatë aplikimeve të qytetarëve pranë bankave.

Të gjitha këto do të lehtësonin më tej digjitalizimin, jo vetëm të pagesave, por dhe të shërbimeve të tjera, si huadhënia dhe investimet, duke kontribuuar ndjeshëm në objektivin e përbashkët të formalizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë.

Krijimi i një “depozitari qendror” të të dhënave biometrike të popullsisë, të cilat mund të përdoren si elemente sigurie në komunikimin edhe autentifikimin në distancë, është një zhvillim mjaft pozitiv për digjitalizimin e shërbimeve bankare.

Për më tepër, zhvillimi i nënshkrimit elektronik dhe përmirësimi i legjislacionit për nënshkrimin e kontratave në distancë është gjithashtu një masë mbështetëse në këtë drejtim

tha ai.

Propozimi është një element që tingëllon si bindës pasi i jep prioritet sigurisë, por kjo siguri ka kuptim kur synimet e një sektori shkojnë përtej fitimit abuziv. Sektori bankar në Shqipëri është ndër më të pakontrolluarit, thuajse si të gjithë sektorët e tjerë, e ku në të cilin Banka e Shqipërisë e drejtuar nga Gent Sejko luan rolin e mazhordomit.

Aksesi në të dhënat biometrike është diçka e tepërt për një vend si Shqipëria që nuk administron dot as të dhënat bazike, ndërkohë që të parat janë tashmë pronë e një kompanie të huaj që prodhon letërnjoftimet dhe pasaportat.

Ne jetojmë në një kohë që ecën paralel me dimensionin e të dhënave si element që po bëhet pjesë e strukturës teknologjike aktuale. Dhe pasojat e së cilës nuk i ka hamendësuar ende kush qartë se cilat janë. Është e habitshme lehtësia me të cilën Guvernatori lëshon mufka të tilla, nisur nga fakti se të dhënat përpara sesa të aksesohen dhe akumulohen duhen konsideruar se jepen me konsensus.