Në rrjetet sociale është krijuar një lloj pështjellimi, deklamuar si shqetësim patriotik mbi disa qëndrime të Richard Hodges, studiues britanik i antikitetit në Mesdhe. Gjullurdinë ne e kemi himn kombëtar në paralelin teorik mbi Butrint e lart, meqenëse Butrinti është shembulli më i qashtër i rregullit urban dhe vizionit estetik që na mungon.

Kësaj radhe kaos-skopi u provokua nga Auron Tare, i vetëshpallur si shef i shërbimit dixhital për luftën kundër pikëpamjeve antishqiptare, pavarësisht se çfarë janë këto të fundit. Z. Tare ka marrë gërshërët e duke prerë video nga leksionet Hodges i prezanton nën një kontekst ndërsyes për veshët e pafajshëm të shqiptarëve që u kujtuan në vitin 2022 se “Butrinti është i yni e s’e lëmë për be të na ikë”.

Në një leksion Hodges thotë se në vitin 1913 Shqipëria politike u krijua me vendim nga Fuqitë e Mëdha, duke përdorur përkfuzimin “vend artificial”. Kaq ka mjaftuar që shtrëngimet në gjoks për këtë mungesë natyraliteti historik të shpërthejnë gjithë shqetësim. Videoja është postim i 24 korrikut dhe ndoshta kjo shpjegon edhe rënien e numrit të turistëve në Bregdet, meqenëse për të dëgjuar e shqyrtuar çështje të tilla të duhet angazhim.

Po ku qëndron mëkati i Hodges aty? Shqipëria politike është një vend artificial sepse asnjëherë në histori nuk ka patur një formacion politik me këtë shtrirje territoriale. Kush ka lexuar materiale të historiografisë shqiptare për mënyrën sesi u negociuan kufijtë, sesi Prizreni u la për Shkodrën nga austriakët, apo sesi Saranda u përfshi në Shqipëri nisur nga konsideratat e Shtabit Italian për të mos lënë kanalin e Korfuzit nën një shtet, sesi evoluan hartat dhe sesi edhe u kalua nga formulimet juridike të shtetit në deklarimin politik, e kupton se çfarë farse po gatuhej.

Ky ishte ndër ato vendime tipike që u panë edhe në Lindjen e Mesme dhe që provokuan si në Ballkan konflikte të vazhdueshme.

Kjo nuk është një tezë antihistorike, as edhe shprehje e një antishqiptarizmi, të cilën z. Hodges nëse e ka, duhet t'ia gjurmojnë gjetiu. Jo në këtë pasazh.

Në librin e tij për Butrintin, por edhe në leksionet e veta dallohet qartë se Hodges ka një venerim për qytetin antik, të cilin e lidh me qytetërimin greko-romak.

E ashtuquajtura arkeologji shqiptare, të cilën z. Tare tashmë ka marrë përsipër ta ngrejë në piedestalin e vlerës shkencore botërore të paktën për tezën e autoktonisë dhe vijimësisë iliro-shqiptare, për Butrintin është kufizuar të shprehet se “fillesat e tij nuk janë helene”, por pa shkuar më tej, pas atij që e quan pushtim nga kolonët grekë.

Por çfarë ishte Butrinti para Teatrit të tij nëse do flasim me sytë e atij që e admiron sot? Pa kullën veneciane, vilat romake e kështu me radhë? Qytetërimi që sot përlavdërohet aty e ka të qartë identitetin dhe kontekstin, të mos bëjmë sikur nuk kemi sy në ballë. 

Është po ashtu pa vend kontekstualizimi i një kritike të Hodges për qëndrimet e arkeologjisë shqiptare për vijimësinë iliro-shqiptare gjatë kohës së Enver Hoxhës. Sepse edhe në lëmin e vijimësisë dhe autoktonisë, teza e shkencës shqiptare ka në fakt një karakter kritik më tepër sesa afirmativ. Ajo merret gjerë e gjatë me zhvlerësimin e tezave të të tjerëve në dritën e gjetjeve arkeologjike, sikundër u mor gjuhësia me afirmimin e vijimësisë përmes neutralizimit të hipotezave alternative.

Edhe sot që flasim vijimësia iliro-shqiptare është ende në rrafshin e njërës prej hipotezave, ndaj të vësh kujën se këtu po na vjedhin historinë, është në fakt të thuash të kundërtën: pra se dua të dëgjoj historinë që më pëlqen e që e kam parë në filmat shqiptarë. Dihet se mes britanikëve ka një fill filo-helen, në sensin e admirimit estetik, historik, e filozofik për atë qytetërim. Po a është mëkat një gjë e tillë? Dhe nëse Butrinti i Përjetshëm siç e ka quajtur Hodges rrezaton atë kulturë, pse duhet kjo t’i bëjë hije krenarisë sonë? Apo identitetit tonë? Se kështu thotë dikush në Facebook?

Problemi këtu është me disa figura të arkeologjisë dhe shkencës që lejohet të përdoren për skena populizmi si këto, pasi me Butrintin në fakt duhet parë se çfarë po synohet të vidhet si pasuri, nëse me hapësirën e parkut (jo sitit) do të abzuzohet dhe jo se Richard Hodges do të na manipulojë të vërtetën e gjetjeve.

Duhet të mbajmë mend mirë një paradoks të cilin shpesh duam të bëjmë sikur nuk e shikojmë: flasim për 500 vjet obskurantizëm otoman, por rrënojat që sot duam t’i bëjmë tokë e zanun nuk na i prekën. Jo aq shumë sa prekim ne vetë sot p.sh të gjithë katalogun e artit ikonografik dhe pasbizantin, të lënë në mëshirën e fatit.

Butrinti dhe Apollonia u zbuluan nga të huaj, me financime të huajsh, sikundër studimet e para etnologjike e gjuhësore u bënë prej të huajve të tjerë, që popullarizuan gjetjet e tyre për interesa të shteteve përkatëse. Një herë këta i shpallëm imperialistë, pastaj fashistë, më vonë armiq të betuar të Shqipërisë, duke harruar fare që të tregohemi pak më të përmbajtur: në fund të fundit, askush nuk po mohon ekzistencën tonë. E as e ka mohuar. Problemi ynë themelor është me aderimin në Qytetërim dhe këtë problem ne e dëshmojmë fare mirë edhe me këto lëngata dixhitale që as zgjidhin gjë, por vetëm e shtojnë aciditetin e uthullës së padijes të cilën i rrëfejmë vetes si mitin e vetëm të vërtetë të kësaj bote.