Zëri i Amerikës paralajmëron qametin. SHBA i paska dhënë një ultimatum Albin Kurtit që të themelojë Asosacionin e Komunave Serbe sepse sipas SHBA nuk cenon Kushtetutën.

Mund të jetë kështu. Truri i një amerikani dallon nga truri i një kaukaziani të Ballkanit. Pse ta mohojmë?

Puna është se në Amerikë ka nisur një diskutim se me skandalin McGonigal implikimet për një rihapje hetimi për lidhjet Trump-Rusi janë të mëdha aq sa po thuhet se zyrtari në fjalë ka detyruar me intriga të ndryshme James Comeyn që të riniste hetimet për e-mailet e Hillari Clinton duke çuar në humbjen e saj në zgjedhje.

Po kështu në mediat amerikane po shkruhet se McGonigal është punësuar në një kompani që bleu një godinë të Jared Kushner në New York, që u kishte ngecur atyre nga periudha para krizës financiare. Shkohet deri aty sa të thuhet se Kushner imponoi bllokadën ndaj Katarit që mandej bleu përmes një fondi, pjesë e kompanisë ku u punësua McGonigal, godinën duke çliruar nga borxhet Kushnerët.

Por këto janë punë të mëdha të veseve universale të njeriut. Ajo që ne po mësojmë këtu, në anglishte të pafiltruar është se Amerika është sëmurë. Rëndë madje. Ajo vuan nga korrupsioni I elitave siç e quan ndonjë grupim, apo nga deliri i flluskave ciklike.

Në këtë kuadër këto Asosacionet me ultimatum nga zyrtarë si Derek Chollet apo ca më keq Gabriel Escobar nuk duhen marrë shumë seriozisht. Ose më të tepër sesa duhet. Ku e dimë ne se këta të dy nuk bëjnë lojën e Rusisë, të Kinës apo të dreqit me të birin, përderisa gjysma e Amerikës po përpunon gjysmën tjetër se ish-presidenti ishte në borderotë e Vladimir Putinit?

Pasiguria është siguria e vetme, tha ai sociologu i famshëm. Fluide marrëdhëniet, fluide të vërtetat, fludie edhe ekzistencat e shteteve, njerëzve, shoqërive.

s.zaimi