Një nga gjërat që do ta kisha pritur nga Rama për risitë që solli në qeverisje ishte që t’i kthehej kushtetutës dhe t’i kthehej duke pranuar gabimin, ashtu si ka bërë një lider tjetër i Partisë Socialiste. Ne jemi në një depresion politik dhe nuhas gjëra të këqija dhe të rënda

Kështu citohet të jetë shprehur në një intervistë historiani Pëllumb Xhufi. Tani meriton vëmendje konstatimi i z. Xhufi për “risitë në qeverisje të z. Rama” pasi është me të vërtetë shumë e vështirë të gjesh ndonjë dallim mes të dy njerëzve të politikës, pra Ramës dhe Berishës.

Zhvillimet kryesore në qeverisjen e Berishës njoftoheshin në mbledhjet e ekzekutivit ku ai fliste vetë. Zhvillimet kryesore në qeverinë e z. Rama njoftohen nga Facebook, madje edhe qëndrimet për politikën e jashtme.

Koncesionet dhe vendimet e rëndësishme ishin VKM, pra vendime kolektive dhe akte parlamenti, për të cilat përgjegjësia shumëfishohet. Si atëherë, ashtu edhe tani.

Horra dhe lavire bulevardi, thoshte dikur z. Berisha. Një koment i tepruar dhe me ndikim në politikë. Z. Rama e shpalli Becchettin evazor me një tuiter.

Ligjet, vendime, kushtetuta, vetë ndryshimet e saj, emërimet në Drejtësi, reformat në këtë të fundit, janë tagër i z. Rama dhe dy apo tre njëerëzve që kanë qenë afër tij. SI ndodhte në kohën e z. Berisha? Ndryshe? Jo, por me një dallim pozitiv se të paktën procesi I përzgjedhjes së kandidaturave ishte më metodik dhe kontrollues.

Të kujtojmë po ashtu se z. Berisha pati konflikte të hapura me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Presidentin, kryetarin e KQZ-së e kështu me radhë. Z. Rama ka patur me Presidentin, të cilin e përçmon nga premisa e një qytetari dhe artisti që njeh botën e madhe dhe që nuk e meriton këtë mejhane që quhet Shqipëri.

Por pastrimi në drejtësi dhe spostimi i të gjitha balancave të pushtetit nuk I lë gjë mangët përpjekjes së z. Berisha dikur që megjithatë e moderonte veten kur vinte pun ate kompromisi. Në dallim nga z. Rama që e poshtëron veten sa herë Vetja ka nevojë për diçka.

Po partitë dalllojnë? Po dallojnë. PD-ja është një grupim rreth një njeriu. PS-ja është një grupim oligarkësh politikë me në krye një njeri të vetëm, me të cilin kanë rënë dakord për vendimin strategjik: Votime nuk ka!

Ndoshta stili në komunikim ndryshon disi, por të jemi fare të kthjellët: agresioni verbal i z. Berisha më 21 janar, nuk përfaqëson ndonjë vullnet të kundërt nga Panegjiriku prej Ponc Pilati I Edi Ramës për Saimir Tahirin, të cilin ia vuri Partisë ta vajtonte për së gjalli politikisht.

Në këto rrethana kur njerëz me profil publik si z. Xhufi bëjnë konstatime të tilla është e udhës të marrim mesazhin e vetëm të qartë: ndoshta instinktivisht, elita intelektuale e këtij vendi është vetëm e vetëm me një krah, do shpikë e do stërshpikë artifica, do bëjë publicitetin e civilizimit përkundrejt vulgut të krahut tjetër, do mbrojë atë histori që do, për të relativizuar atë që nuk do, do sorrollatet e do sorrollatet pa ndalim për të vënë në dukje se timonin duhet ta mbajë ajo që e ka mbajtur përherë. Dakord, nuk ka ndonjë gjë të habitshme. Por vetëm për dallime dhe risi është e udhës të mos flitet në këtë vend, sidomos në politikën e feudalëve dhe bejlurçinës që nuk dallojnë prej njëri-tjetrit askund, veç në ngushtësinë shpirtërore që shkon në proporcion me pjellorinë e djallëzisë që shtihet në punë sa herë nevoja e zullumit thërret. Dhe këtu është e vetmja dritare prej nga ku karakteret thërrasin. Tjetër punë kush do të shohë e kush jo.

s.zaimi