Ilnisa Agolli: Dëgjoni zoti Zerva. Unë kam dëgjuar diçka rreth origjinës suaj. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo, por thonë se origjina juaj është nga Shqipëria?

Kryebashkiaku i Selanikut: E dini që në Ballkan kemi rrënjë të përbashkëta, në kuptimin që kur Ballkani ishte një hapësirë lëvizëse, kur ishte një hapësirë më e gjerë për kombet e ndryshme, gjyshja e nënës sime kishte lindur në Korçë. Ishte me origjinë greke dhe është vendosur në manastirin që sot quhet Bitola. Atje kishte takuar stërgjyshin tim. Atje lindi babai i mamasë sime dhe pas disa viteve, në 1912 u transferua në Selanik ku lindi nëna ime. 

Kjo është pjesë e një interviste të kryebashkiakut të Selanikut Konstantinos Zervas për "Euronews Albania", televizion me rrënjë europiane. Nën këtë titull, pra: Rrënjët i kam shqiptare, gjyshja e nënës time nga Korça, është tregtuar te lexuesi edhe intervista në fjalë për lexuesin shqiptar që ka rastin tani të mburret se thënia “Selanik e përpjetë siç ka qenë do të jetë” të interpretohet sipas midesë.

Intervista në fjalë është shkëputur nga një material më i gjerë që titullohet: Selaniku, rrënjët e panjohura të këtij qyteti, një riemërtim ndoshta i titullit të Mark Mazower, “Selaniku, qyteti i fantazmave”. Dhe meqë jemi këtu, fantazma e vetme reale është ajo që qëndron në kokën e gazetarëve shqiptarë që ngado të jenë kërkojnë një origjinë, a një burim, pasi me siguri si skotë fisnikësh që janë, origjinën e vet familjare e çojnë deri në antikitetin e vonë.

Kjo pyetje ka natyrë denoncuese: denoncon fshehjen e komplotit ndaj shqiptarëve që janë kudo, shkëlqejnë ngado, në majë të çdo gjëje, por për rrethana misterioze janë fshehur. Do jetë ditë e veçantë ajo kur ky budallallëk që s’ka asnjë lidhje me gazetarinë të marrë fund. Kur mistrecllëku i Konicës, një zevzeku me pordhë të madhe dhe asgjë tjetër, të mos jetë më aplikim i vazhdueshëm për pasaportizimin e nocionit “shqiptar” në çdo histori. Sepse ka shumë gjëra të tjera për të pyetur, sikundër edhe lexuesi shqiptar patjetër që është më inteligjent sesa nevoja për ta trajtuar për kaq budalla duke e “shushatur” me tituj të tillë.

Mbetet vetëm të kuptojmë se ne që jemi këtu, që nuk e fshehim origjinën, mos vallë kemi origjinë greke, apo rumune, italiane që jemi kaq të pasuksesshëm të bëjmë normë Normalitetin. Me ndihmën e gazetarëve si zonjusha Agolli patjetër që do zgjidhet edhe kjo punë.

s.zaimi