Njoftimi më poshtë vjen nga Autoriteti i Medias Audiovizive:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK, përmes një shkrese zyrtare që ka adresuar në AMA, ka njoftuar se në  rrjetin Telegram, në  kanalin e publikimit të  Homeland Justice, më datë 06.04.2023, janë publikur email-et e nëpunësve të këtij Autoriteti.

AKSIK tërheq vëmendjen për prezencën e dokumenteve zyrtare që i përkasin natyrës së punës dhe misionit të këtij Autoritetit, çka mund të dëmtojë reputacionin dhe marrëdhëniet e besimit të AKSIK me homologët.

Sa më sipër, duke qenë se AKSIK është një institucion që ka në fokus sigurinë e informacionit të klasifikuar, AMA kërkon nga redaksitë e OSHMA-ve që të tregojnë përgjegjësi profesionale, për mospërhapjen e të tilla informacioneve

Siç shihet apeli i AMA flet për përgjegjësi profesionale për mospërhapjen e informacioneve të tilla. Tani, cilat krietere profesionale sugjerojnë që shkresa të institucioneve që kanë interes publik të mos përhapen apo transmetohen? 

Ta zëmë në shkresat e AKSIK-ut gjenden ankesat e disa subjeketeve të caktuara, pjesë e Gjykatës së Lartë apo Prokurorisë të cilëve u është revokuar viza nga ambasada amerikane. Cili kriter profesional e ndalon publikimin e një të dhëne të tillë, kur e dimë që vendimet dhe shkresat e ambasadës amerikane vlejnë më shumë se Bibla në këto anë?

Nga ana tjetër, AMA u kërkon vetëm OSHMA-ve, pra televizioneve që të mos transmetojnë materiale të tilla, pra jo mediave online, ndërkohë që Autoriteti në fjalë nuk ka thënë asgjë për rrjedhjen e komunikimeve të veta në Telegram.