Disa media kanë qarkulluar sot një intervistë të Fredi Belerit për mediat greke. Qarkullimi është bërë me marifetin e njohur të gazetarit tipik shqiptar që është edhe një çikë patriot: Beleri thotë se do të kthejë helenizmin në Himarë. Dhe vetë titulli mpreh nervat arbërore të gazetarisë që kushtron anëembanë, mor po edhe mbarë e prapë që të mbajnë vesh se Fred Beleri po na e kthen aftoqhiniton e Himarës nga Greqia.

Në intervistë del e kundërta: Beleri aty flet si grek etnik, flet për helenizmin mijëvjeçar të Himarës. Në 3 fjali. Pastaj merret me “mrrokullat e përditshme” si nuk ka punë e s’ka ekonomi. Pra nuk thotë: do e rikthej, por ne kemi qenë e jemi. Thotë edhe se do të bëjë çmos për miqësinë mes dy vendeve.
Kujt I drejtohet alarmi i mediave shqiptare, ose që shkruajnë në shqip se ku ta dimë ne se çfarë janë? 

Një kategorie që mendon me gishtat kryqëzuar. Askujt tjetër. Nëse Beleri fiton nesër, do shohim shkrime pozitive, po edhe intervista se helbete ne dëshmuam të gjithë se 'Hasani u bë Jani' në këto dekada, pasi siç thotë një fjalë: qeni leh aty ku i japin për të ngrënë. Pse hera e parë do ishte? E mbani mend Bollanon? Jo. Kështu e do zanati këtu.

Nuk ka lidhje e gjitha kjo me Belerin që në fund të fundit është akuzuar edhe nga njerëz të rëndësishëm të politikës për përfshirje në ngajrjet e Peshkëpisë në vitin 1994. Pasi nëse politika do të ishte serioze do ndalonte kandidimin e tij, nëse do të ishte vërtet patriotike do e kishte bërë të pamundur idenë që ai të kandidojë se do e kishte bërë Himarën perlën e Mesdheut sa t’i ngrinin këngë edhe iralndezët.

Por Himarën, të "bijtë e shqipes”, që po ta dinte ça ka pjellë do maskohej si sorrë, e kanë bërë kashtë e koqe me vila personale e ndërtime e më the e të thashë, me lokale e objekte që dëshmojnë më së miri në mijëvjeçarin që do të vijë se në Himarë vetëm grekë nuk ka. Madje aty ka vetëm shqiptarë nga këta të ’90-ës dhe Tiranës politike, sepse vetëm ky soj di të shpartallojë çdo gjë si ka bërë, dhe të shëmtojë si askush tjetër në tokë.

E kur është kështu ç’i plas Fred Belerit se i bëjnë moral ca lëtyra nga Tirana?! Sidomos kur e dimë se zakoni profesional "më shaj pak shqip se më duhet në Greqi" është i vjetër në këto anë. 

PS: Të na falë Kryeministri se e konkuruam për fjalorin ekskluziv!

s.zaimi