Ka një modë vipash në Tiranën mediatike që po zëvendëson gazetarin me priftin dhe të intervistuarin me rrëfimtarin. Ka një prirje që llogaridhënien me pyetjet reale që i takojnë ta zëmë një politikani të zëvendësohen me “biseda të ngritura”, intelektuale, që ngrihen sipër problemeve të Shqipërisë. 

Shembulli i fundit, dalja e kryeministrit Edi Rama në Top Story në Top-Channel. 

Emisioni në fjalë është “misleading” – çorientues – në mënyrë tipike dhe mendjelehtë që në hapje: për gazin e mbarë njerëzisë, Grida Duma prezantohet si Autore. Emri i këtij emisioni është i vjetër. Ai lidhet me kanalin televiziv në fjalë dhe është qarkulluar së pari nga Sokol Balla. Që së paku në moderim ka ditur përherë të respektojë atë që e sheh në kuptimin që e bën këtë shumë herë më mirë se “rivalët” mediatikë të tij që ose preferojnë monologun dhe vetëprezantimin si Eminenca, ose bëjnë show patetik, ose janë të njëanshëm deri sa mund të vënë në siklet edhe Fatmirin e Zyrës së Organizimit në Partinë Socialiste. 

Rreth tetë minutat e para paraqitet episodi i dhunës ndaj z. Rama në vitet ’90. Me hollësi ai tregon sesi e goditën, se çfarë bëri e kështu me radhë, në sfond të fotove të stërpara, vetëm e vetëm për të riprodhuar të vetmin akt heroik për të cilin ai mund të krenohet sipas mënyrës së vet dhe me gjasë, të ripërvijojë perceptimin e një viktime që po “Lufton edhe sot me pasojat e historisë”. 

Pastaj kalohet te një foto tjetër e stërparë edhe ajo. Rama, Ardian Klosi, Sali Berisha. Po cili është kuptimi i kësaj molloisjeje në kohë fushate elektorale? Pse z. Rama kërkon ta miklojnë kështu edhe pas kaq kohësh?

Inskenimi i dyshes në raportin rrëfim/dëgjim është për t’u shënuar: Duma që deri më dje bënte Marianën në Parlament kundër këtij përbindësi të korrupsionit siç e kanë portretizuar, i ngul sytë me “kuriozitetin shpues” të gazetarit profesionist, që po do të shesë trikotazhin pa seri të një jete, pergamanën e rrallë të tranzicionit nga një perspektivë “intelektuali”. 

Ti duhet të vish patjetër, se ti je Liberal

dëgjohet një fjali e z. Rama që ia atribuon Arben Imamit. Jo. Ai nuk shkoi te PD-ja sepse "kishte një ndjesi që gjërat në atë parti(PD) nuk do shkonin mirë".
Është një medalje e shpikur nga një keqkuptim i kohëve të shkuara mbi termin në fjalë, sepse tashmë të gjithë kemi njohjen se për çfarë lloj liberalizmi bëhet fjalë. 

Kujt i duhen këto të gjitha? Kujt i duhet kjo përsëritje banalitetesh private që përtej rëndësisë që kanë për personin, nuk rrëfejnë ndonjë gjë me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe as përbëjnë më interes publik? 

Me falsitetin e një diskutimi të marketuar në këtë formë vjen edhe transforimimi i vetë profesionit të gazetarit, që sa vjen e perverton drejt fytyrave të vrerosura të dëshmitarëve të historisë së të tjerëve, vanitetit televiziv dhe një kotësie të mbipaguar që i shërben vetëm viktimave të frikës së brendshme si z. Rama. 
Sepse gjithçka që po bën z. Rama në këtë fushatë është përpjekje për të fshehur frikën nga zgjedhjet e afërta, nga diskreditimi se po ka surpriza nga “faqja e zezë”, jo aq nga një përmbysje.

Është e qartë se prirja e elektoratit ka nisur të flasë për nevojën e një ndryshimi, i cili është imperativ edhe me koston se ai do të jetë vetëm rotacion të vjetërish. Dhe në këtë kuadër, emisione si ky më sipër vetëm po shërbejnë për të amballazhuar në funksion të manipulimit, jo për të zbardhur. 

Top-Story nuk mund të jetë “Edi Rama’s story”, sepse ajo nuk i intereson kujt. Sepse nuk thotë gjë. Top-Story janë vetëm Prangat dhe Vota në një vend ku për pushtetin tashmë konkuron Krimi.

s.zaimi