Fakt: grupi Meta – Berisha i humbi zgjedhjet. Apo edhe Votimet. i humbi edhe duke marrë 500 mijë vota siç e sjellin në vëmendje këtë fakt apologjetët e absurdit. 
Me 500 mijëshen në xhep Sali Berisha është nisur në rrugën e opozitarizmit zhurmues që nuk prodhon më asgjë. Asgjë. Vetëm humbje kohe. Përballë këtij hospitalizimi politik po dalin në sipërfaqe propozimet diversioniste të mazhorancës. Këtu shfaqet Lulzim Basha, pastaj Majlinda Bregu, që janë asgjë më shumë se shashka për ta shndërruar kundërshtarin në një opozitë patatinash sa për të përdorur një mënyrë të shprehuri në zhargon. 

Problemi i opozitarizmit në Shqipëri sot është edhe problem emrash, që mu për këtë fakt vjen e ndërlikohet në një manifestim paradoksal. Sepse për arsye të tyet Sali Berisha dhe Ilir Meta, tashmë të djegur, janë të detyruar të përforcojnë lojën politike opozitare, por pa arritur dot të mobilizojnë më për ndonjë fitore. Ndërkohë që emrat e tjerë janë asgjë më shumë se të punësuar si kundërshtarë të qeverisë por pa qenë të aftë dhe me vullnetin e një opozite. Është një paradoks që ilustron krizën e korruptimit të sistemit ku ndryshimi është formalisht motorr i rotacionit, por që duke u premtuar kompromentohet rrugës nga lapërdhia e atyre që dikur u quajtën aleanca fluide. 

Përmbi të gjithë këtë krizë përfaqësimi qëndron megjithatë një krizë shumë më e madhe: ajo e mosbesimit dhe braktisjes publike të të drejtave. Berisha mund të ketë të drejtë kur flet për manipulim apo blerje vote. Ai mundet edhe ta provojë këtë dikur, por apeli i tij për demokracinë dhe të drejtën e votës nuk ndez asnjë llambë në shoqëri. Kjo jep të kuptojë se ligjërimi është shndërruar në retorikë dhe inerci dhe politika kuptohet apo ndiqet më mirë përmes udhëzimit të konsumit. Vende pune, tendera, para, këto janë lënda e parë tashmë dhe ekonomia elektorale. Do të duhej që kjo të ngrinte alarmin meqë na kanë thënë se jo vetëm që jetuam në Diktaturë, por edhe madje e rrëzuam atë për të drejtat dhe lirinë.

Mirëpo mesa duket e vërteta qëndron poshtë kokës, madje poshtë zemrës ku rastis të bëjë glasën shqiponja e duarve bashkuar. E vërteta e demokracisë në Shqipëri qëndron të stomaku dhe zorra ndaj edhe të mos çuditemi që demokracia përqeshet këto kohë edhe nga njerëzia që merr para për votën, përderisa u përqesh nga etërit e buxhetit për tri dekada. 

s.zaimi