Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të zbuluar një fakt të panjohur më parë siç tha ai. Dhe ky fakt është se Edi Rama ka dorëzuar Francës dhe Gjermanisë një draft për Asocacionin e Komunave Serbe meqenëse Macron dhe Scholz janë siç përkufizoi z. Rama “kumbarët e dialogut”.

Në fjalën e tij z. Rama ka shprehur bindje kundërthënëse: së pari sipas tij Asocacioni është thelbi i problemit dhe këtë fakt kryeministri shqiptar thotë se e ka kuptuar herët, në të njëjtën kohë ai ka bindjen se as Kosova dhe as Serbia nuk e duan Asocacionin.

Është po ashtu ky njeri, që 1 javë më parë ka deklaruar se nuk shprehet për zhvillimet në Kosovë sepse pala kosovare nuk ia kërkon një gjë të tillë dhe ai e respekton këtë. Sot na rezulton se "me ndihmën e ekspertëve më të mirë" ai e ka dorëzuar draftin në dy kancelaritë kryesore në Europë, ndonëse askush nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Dhe më tej akoma, z. Rama e bën lajm nismën e tij, e cila në fakt nuk është komentuar deri më tani prej askujt.

Përtej kësaj është e vështië të kuptohet se çfarë shqetësimi ka z. Rama që kërkon edhe njëherë të hyjë nga dritarja në një diskutim që nuk e ka ftuar kush dhe nuk po e kërkon kush publikisht? Doli papritur vëlla i Kosovës ky në Tiranë dhe po ofron kontribut duke akomoduar një shqetësim të serbëve? Ky që deri më dje nuk hezitonte të fliste për të drejtën e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, sot dridhet e lëkundet në karrigen e vet në Tiranë për një sherr në tri komuna të Kosovës.

Mos vallë me përplasjen mes Kurtit dhe Perëndimit, z. Rama druhet se politika e vet publicitare e lobimit për raportin e Dick Martyt dhe më tej, roli I tij si zhigolo diplomatik cenohet meqenëse tashmë ndikimi i tij në Kosovë është Zero?

Ne duhet të pranojmë se kryeministri është një njeri shumë i informuar dhe mundet të jetë në dijeni të gjërave që ende nuk janë shfaqur. Përderisa në konferencën për shtyp e quajti Kosovën shtëpinë e ndërkombëtarëve. Por sinqerisht më mirë të zbardhet ajo që ka për të ndodhur dhe kjo politikë e agonizimit të një kombi të marrë fund, sesa të vazhdojë pa ndalim kjo zvarritje e shtyrje, rapsodë të të cilës janë njerëz si ky që është kryeministër në Tiranë. Nëse stabiliteti i Europës varet nga Zveçani, atëherë le të qeshim të gjithë me historinë.  

s.zaimi