Propozimi i fundit europian për krijimin e një fondi rezervë financimi për Ukrainën është bllokuar nga Hungaria. Mediat raportuan se ideja është që të disbursohen 5 miliardë euro në vit për një periudhë katër vjeçare, në mënyrë që Ukraina të ketë sponsorizim për rezervat ushtarake në kuotën e 20 miliardë eurove.

Por gjatë një diskutimi në nivel ministrash të BE-së, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto është shprehur se vendi i tij nuk do të lejojë që një fond i tillë të miratohet, derisa Ukraina të heqë nga lista e vet e “sponsorëve të luftës”, bankën OTP.

Unionit i mbetet kohë deri në tetor, kur është samiti i radhës i liderëve të vendeve anëtare që të zgjidhin problemin me Hungarinë, që në të vërtetë i ka bërë thirrje Ukrainës të ndalë luftën. Hungaria po ashtu ka qenë kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka sugjeruar një qasje më të ekuilibruar në kontekstin e një konflikti që po zgjat më shumë se një vit e gjysmë.