Sulmet terroriste u rritën në vendet e BE-së gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më parë. Raporti i fundit i Europolit flet për 28 sulme të planifikuara, 16 prej të cilave janë realizuar. Shumica e tyre i atribuohen të majtës (13), dy terrorizmit xhihadist dhe një terrorizmit të së djathtës.  Megjithatë, pavarësisht rritjes në krahasim me vitin 2021 (18 sulme), terrorizmi duket se është tkurrur në raport me vitin 2020, kur pati 56 sulme. Në raport, kjo shpjegohet me kategorizimin e ndryshëm të sulmeve terroriste të krahut të majtë nga vendet raportuese gjatë viteve të fundit. 

Gjatë vitit që lamë pas janë arrestuar 380 individë për vepra të lidhura me terrorizmin. Rekordin e arrestimeve e mban Franca (93), e dyta renditet Spanja (46), më pas Gjermania (30) dhe Belgjika (22). Katër janë viktimat e këtyre sulmeve gjatë vitit që lamë pas. Tre sulmet që përfunduan me viktima janë kryer duke përdorur armë të ftohta dhe një armë zjarri. Në BE vihet re një zbehje e aktivitetit të ISIS dhe Al Kaeda, po ashtu edhe rënie e mbështetjes ndaj tyre në radhët e xhihadistëve.

Ndërsa propaganda që shpërndajnë mbështetësit e këtyre dy grupeve shpesh është e vjetëruar (disa prej materialeve i përkasin kohës kur dy grupet ishin ende një i vetëm), terrorizmi që vjen nga ekstremizmi i djathtë propagandon një bollëk narrativash, kryesisht online.

Ka pak konsensus për temat dhe ideologjitë, të cilat janë gjithmonë të përziera dhe shpesh kontradiktore.

Interneti dhe teknologjia mbeten kanalet kryesore të propagandës si radikalizimi dhe rekrutimi i individëve vulnerabël në terrorizëm dhe ekstremizmi i dhunshëm. Platformat e decentralizuara janë mjetet e reja që po përdorin grupet terroriste për të përhapur propagandën e tyre, duke i shpëtuar monitorimit dhe hetimeve të organeve të zbatimit të ligjit. Lufta në Ukrainë është reflektuar në reagime të dukshme nga radhët e ekstremizmit të djathtë.