Rusia ka përllogaritur se Bashkimi Europian ka humbur të paktën 1.5 trilion dollarë që pas vendosjes së sanksioneve ndaj saj. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, e bëri të ditur shifrën gjatë Forumit Ekonomik Euroaziatik në Uzbekistan.
"Të gjitha humbjet që BE-ja pësoi për shkak të vendosjes së sanksioneve dhe vendimeve për të kufizuar bashkëpunimin me Rusinë kanë arritur, sipas një vlerësimi konservativ, rreth 1.5 trilion dollarë," u tha Grushko gazetarëve.
Ai vuri në dukje se tregtia e ndërsjellë midis Rusisë dhe vendeve anëtare të BE-së kishte arritur në 417 miliardë dollarë në vitin 2013 dhe pretendoi se mund të kishte arritur në 700 miliardë dollarë këtë vit po të mos ishin vënë sanksionet për pushtimin e Ukrainës. Grushko shtoi se vëllimi i tregtisë kishte arritur në 200 miliardë dollarë në vitin 2022, por pritet të bjerë në më pak se 100 miliardë dollarë deri në fund të 2023.
“Vitin e ardhshëm, do të bjerë më tej në 50 miliardë dollarë dhe do të hyjë në rrugën drejt zeros”, përfundoi ai.
Sektori industrial i Gjermanisë tani duhet të blejë gaz natyror me çmime tre herë më të larta se sa kushton në SHBA, sipas diplomatit. Ai theksoi se linjat e prodhimit po zhvendosen gradualisht në Amerikën e Veriut, pavarësisht flamujve të kuq që ngrihen nga bizneset gjermane. Deri më tani, Brukseli ka prezantuar 11 paketa sanksionesh kundër Rusisë për operacionin e saj ushtarak në Ukrainë. Numri i individëve të sanksionuar ka arritur në dhjetëra mijëra, por zyrtarët në BE dhe SHBA kanë pranuar se pavarësisht kësaj, impakti te Rusia nuk ka qenë ai që pritej.