Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lirimin e Jamarbër Malltezit, duke zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest në shtëpi.
Vendimi përcakton që Malltezi të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.
Ndërkohë, e njëjta trupë gjykuese, vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Malltezi u arrestua më 21 tetor në kuadër të hetimeve që SPAK ka kryer për privatizimin e ish-klubit Partizani.
Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Sipas dosjes së SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i cilëson këto para të jashtëligjshme, pasi Malltezi nuk ka qenë investitor dhe ka fshehur origjinën e parave.
Për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet edhe ish-kryeministri Berisha. Në detyrën e kreut të qeverisë në kohën kur është kryer privatizimi, Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv”. Ndaj tij është caktuar masa detyrim paraqitjeje dhe ndalim për të udhëtuar jashtë vendit.