Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka hapur rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat me shumicë serbe në veri.
Zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi, bëri të ditur numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote në tri komunat Leposaviç, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe numrin e saktë të votuesve që përbëjnë 20 për qind të trupit votues në secilën komunë, që është i nevojshëm për shkarkimin e një kryetari komune përmes peticionit.
Më 7 dhjetor, katër grupe nismëtare, secili i përbërë nga tre qytetarë dhe për llogari të vet, u dorëzuan kryesuesve të kuvendeve komunale të katër komunave në veri kërkesat për inicimin dhe organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave.
Sipas një udhëzimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas plotësimit të 20%-shit, nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.
Nëse në zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritet vetëm pas një viti.