Petrit Vasili i Partisë së Lirisë deklaronte sot se 30% e bashkive në vend po zhduken dhe shkretohen. Shtesa natyrore është negative në 82% të bashkive duke nisur që nga viti 2021 dhe sipas Vasilit “asgjësimi real i vendit është tek pragu i derës”. Është një lloj politike apokaliptike kjo që në të vërtetë lidhet me shifrat në terren. Ikja masive e njerëzve tashmë është problem real dhe këtë i fundit që e pranoi është ai që qeveris.

Sa duan të ikin? Shumë. Sa duan të jetojnë këtu? Ata që nuk mundet të ikin.

Janë disa përgjigje që qëndrojnë këto për pyetjet e shtruara, ndonëse mund të përmbysen në vitet në vijim.

Megjithatë ne po përjetojmë gropën më të madhe potenciale që nga shtetformimi dhe kjo provohet edhe nga censusi i fundit, që sipas disa burimeve raporton një shifër rezidentësh në Shqipëri poshtë 2 milionë banorëve. Shifër që siç mund ta marrim me mend mund të rregullohet si të gjitha gjërat e mira të këtij vendi.

Përtej faktit se këtë shqetësim e ngre një zyrtar i një partie politike, ai është i vërtetë. Dhe zbrazja e një vendi të vogël si Shqipëria është dëm i pakthyeshëm për kulturën dhe identitetin tonë. Patjetër që në këtë vend Edi Rama, Skënder Gjinushi, Elisa Spiropali e të tjerë nuk kanë për të ikur. Por nuk po flasim për një pakicë të zgjedhur arbërore që ka vendin e vet në panteonin e historisë europiane, po flasim për asgjësimin fiziologjik të mundësive të një shoqërie për të jetuar në vendin e vet. Vetëm e vetëm për shkak të qeverisjes së një elite.

s.zaimi