Romani që fitoi çmimin më prestigjioz letrar së fundmi në Japoni ka dorën e inteligjencës artificiale. Autorja Rie Kudan ka pranuar se ka përdorur ChatGPT gjatë shkrimit të romanit, madje ajo e ndihmoi të zhbllokonte potencialin e saj.
Romani "Tokyo-to Dojo-to" u vlerësua me Akutagawa, çmimi më i madh i letërsisë në Japoni.
Fabula flet për ndërtimin e një kulle burgu të lartë në një Tokio futuriste. Arkitekti i kullës është i pakënaqur me shoqërinë e së ardhmes, kërkesën e saj të tepruar për tolerancë dhe mbështetjen e tepruar në inteligjencën artificiale.
Vetë autorja pranoi se rreth 5% e romanit është krijuar nga AI. Kudan rrëfeu se i beson shpesh chatbot-it gjëra që nuk do t’ia thoshte kurrë një njeriu. Përgjigjet e tij gjeneruan një dialog frymëzues që ajo e paraqiti më vonë në romanin e saj.
Rrëfimi i saj është pritur me reagime të ndryshme në mediat sociale. Disa e vlerësojnë përdorimin e teknologjisë në zhvillim, ndërsa të tjerë e cilësojnë të pamerituar çmimin më të lartë letrar të Japonisë.
Që nga hyrja në përdorim e programeve gjeneruese të AI si ChatGPT, shumë prej tyre kanë ngritur shqetësime për përdorimin etik të një teknologjie të tillë, e cila tashmë është përdorur gjerësisht për të shkruar punime kërkimore, kode kompjuterike dhe skenarë filmash.
Vitin e kaluar, një grup prej 1 100 studiuesish të AI, njohës të mirë të teknologjisë dhe futuristë të tjerë, duke përfshirë miliarderin Elon Musk dhe bashkë-themeluesin e Apple, Steve Wozniak, nënshkruan një letër të hapur duke kërkuar moratorium gjashtëmujor për "eksperimentet gjigante të AI" për të dalë me udhëzime për si duhet zhvilluar dhe përdorur teknologjia.