Çështja “Beleri” mund të quhet padyshim si kazusi par excellence i zhbërjes së politikës ‘Zero probleme me fqinjët” që formuloi në nisje të qeverisjes së vet Kryeministri Edi Rama. Kjo sepse pavarësisht rolit të provueshëm të tij nëkëtë çështje, në Athinë perceptimi është se ka qenë pikërisht zoti Rama që ka ezauruar një shkelje të një niveli të cilin Greqia po sheh ta shndërrojë në problem europian.

Jo për sentimentalizëm, as delir persekutimi, por strikt interes politik. Në një shënim të vetin në gazetën “Kathimerini”, deputeti i Demokracisë së Re, njëkohësisht profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, Angelos Syrigos, thekson se çështja në fjalë ka imponuar ndryshime të thella në qasjen e Athinës ndaj Shqipërisë. Sipas tij, trajtimi i saj në plan dypalësh do ta shndërronte Greqinë si pjesë të problemit ballkanik, ndërkohë që aktualizimi në axhendë europiane, do të hapte një tjetër dritare shqyrtimi, duke bërë të domosdoshëm edhe një:

Rishikim të marrëdhënieve tona me Shqipërinë(dhe të çpluhurosim marrëveshjen e firmosur të 2009-s)

Ajo që sinjalizon probleme serioze është perceptimi se “Tirana nuk i kupton gjestet e vullnetit të mirë” se I merr ato “për dobësi”, çka na jep të kuptojmë se në Athinë po përgatiten të sillen pak ndryshe me fqinjin e veriut dhe të vënë në veprim ato mjete të cilat kaposhi i Tiranës i kap në ajër dhe e bëjnë të ulë bishtin. Dhe përmendja nga Syrigos e marrëveshjes së vitit 2009 është një ndër mesazhet më të forta.

Me shfaqjen konstante dhe ekstreme të “superioritetit europian” ne kemi pranuar të gjitha prapakthimet dhe lëshjimet sepse kemi qenë në gjendje të sigurojmë interesat tona në çështje të tjera…Ne e mbajtëm madje pa ratifikuar marrëveshjen e vitit 2009 për shkak të kësaj perspektive. Shkuam edhe më tej nën qeverinë e Syriza-s, duke vepruar sikur kishim mashtruar shqiptarët dhe kishim nevojë për një marrëveshje të re, kur në fakt marrëveshja e 2009-ës është paradigma e delimitimit detar

shkruan Syrigos që shton se refuzimi i Tiranës i asaj marrvëveshjeje u bë nën ndikimin e Turqisë.

A mjafton një opinion i tillë për të vënë në lëvizje politikën greke ndaj Shqipërisë? Dhe në çfarë do të konsistonte ky ndryshim? Kjo mbetet për t’u parë, por mësimi A që marrim nga ky rast është se askush nuk po i beson më kryeministrit të Shqipërisë në Athinë. Dhe tjetra: ne si qytetarë të Shqipërisë nuk e dimë ende se cili ineres u mbrojt me arrestimin e Belerit, që fitoi zgjedhjet.

s.zaimi