Dy ish-drejtorë të tjerë të Bashkisë së Tiranës janë arrestuar sot me urdhër të SPAK. Në kuadër të dosjes 5D, në pranga përfunduan Redjan Molla dhe Mariglen Qato, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.   

Molla, ish-drejtor i UKT-së i larguar në vitin 2020 dhe Qato, ish-drejtor i IMT-së, e çojnë në tre numrin e zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilët vihen në pranga.

Arrestimi i tyre vjen pas atij të Taulant Tushës, gjithashtu njeri i afërt i kryebashkiakut, i cili u vu në pranga në dhjetor 2023 për implikim në aferën e inceneratorit të Tiranës.

Tusha rezulton subjekt i një tjetër mase arresti të lëshuar ndaj tij ditën e sotme nga SPAK.

Nëntë urdhër-arrestet e lëshuara sot nga SPAK lidhen me dosjen 5D, e hapur pas denoncimit që kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi, ka bërë disa muaj më parë.

Në detyrim paraqitjeje në kuadër të të njëjtit hetim janë lënë Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Elantina Zere dhe Deborah Keçi.