Italia duket se do të ndjekë shembullin e Gjermanisë lidhur me njohjen e gjuhës si kriter i integrimit të të huajve.

Nënsekretarja e Arsimit, Paola Frassinetti, e cila vjen nga radhët e Fratelli d’Italia, partia në pushtet e kryeministres  Giorgia Meloni, deklaroi të premten se ka rënë dakord me ministrin e Arsimit, Giuseppe Valditara, i cili gjithashtu ka theksuar rëndësinë e integrimit të studentëve të huaj dhe ka bërë thirrje për klasa me shumicë italiane. 

Kjo ide është hedhur fillimisht nga lideri i Lega-s, Matteo Salvini, i njohur për qëndrimet e tij antiemigrante.

Salvini ka propozuar një kufi prej 20% për nxënësit e huaj në klasa.

Frassinetti nënvizoi se objektivi i një shkolle të hapur për të gjithë nuk duhet të neglizhojë vlerësimin e karakteristikave identitare të kombit pritës, prandaj  ekuilibri midis përfshirjes dhe ruajtjes së identitetit kulturor italian është thelbësor.

“Valditara ka të drejtë kur thotë se e ardhmja e komunitetit tonë kombëtar varet nga integrimi i vërtetë i studentëve të huaj”, tha Frassinetti.

Ne duam një shkollë të hapur për të gjithë dhe që në të njëjtën kohë ruan identitetin e saj dhe për ta bërë këtë është e nevojshme të forcohet mësimi i gjuhës italiane me kurse specifike për studentët e huaj, gjë që është thelbësore për të siguruar gjithëpërfshirjen në kuptimin e plotë të fjalës