Zvicra do të organizojë një konferencë paqeje të nivelit të lartë për Ukrainën në mes të qershorit, por pa Rusinë. Ukraina dhe rreth 100 vende do të marrin pjesë në konferencën në resortin luksoz Burgenstock pranë qytetit qendror të Luzernit më 15-16 qershor.

"Ky është një hap i parë në një proces drejt një paqeje të qëndrueshme," u tha gazetarëve presidentja zvicerane, Viola Amherd, duke shtuar se nuk pritet menjëherë nënshkrimi i një plani paqeje, por "shpresojmë të fillojmë procesin".

Rusia ndërkohë e ka cilësuar këtë konferencë një komplot të orkestruar nga SHBA. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, eventi është pjesë e një skeme të Partisë Demokratike të Presidentit të SHBA Joe Biden përpara zgjedhjeve presidenciale të këtij viti.

Zvicra shpreson ta përfshijë Rusinë në bisedimet e mëvonshme.

Për organizimin e kësaj konference, qeveria zvicerane ra dakord gjatë një vizite në janar të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zvicra tradicionalisht neutrale ka insistuar që në fillim se Moska duhet të përfshihet në bisedime dhe ka luftuar për të tërhequr Kinën dhe fuqitë e tjera në zhvillim.

Por Rusia, e zemëruar nga vendimi i Zvicrës për të mbajtur sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, ka thënë se ajo nuk mund të konsiderohet më një vend neutral.

Këtë javë, qeveria zvicerane njoftoi se do të ndajë pesë miliardë franga zvicerane (5.8 miliardë dollarë) për të mbështetur rimëkëmbjen e Ukrainës deri në vitin 2036.

“Kjo shumë tregon qartë solidaritetin e Zvicrës me njerëzit e prekur nga lufta në Ukrainë dhe do të rrisë stabilitetin në kontinentin evropian”, thuhet në deklaratë.

Banka Botërore ka vlerësuar se kostoja totale e rindërtimit me të cilën përballet Ukraina pas më shumë se dy vitesh luftë është të paktën 486 miliardë dollarë.