E patë sot Ilir Metën në të ashtuquajturën Konventë të Partisë së Lirisë? Mundet edhe ta cilësojmë shfaqjen e z. Meta si rasti politik i “Ethet e së Premtes” ku vokali i një individi sinkronizohet vetëm me ankthin e tij dhe jo me ndonjë imperativ të atdheut tonë shumë të dashur. Apo mos vallë z. Meta po rithemelon veten nën modelin e një Arturo Ui?

Si mundet një njeri që ka kaluar të gjitha detyrat e larta shtetërore të ulërasë dhe shpërfytyrohet në këtë farë feje? Po si mundet xhanëm një njeri që ka qenë kaq pranë, në mos në mes të informacionit formal dhe informal, befas të kuptojë se ka qenë naiv dhe se për shkak të këtij naviteti i ka shpëtuar situata nga duart? Se madje ia ka hedhur edhe e shoqja, edhe partnerët politikë, e rrezik edhe Sasha, macja që përmend shpesh dhe pa vend?

Si kemi shpëtuar ne si shtet kur syleshë të tillë kanë patur në dorë vendimet më të rëndësishme? Fati, rastësia, këto me siguri kanë qenë në anën tonë.

E megjithatë, a mundet ne sot të besojmë se një leshko i këtij niveli – vetëshpallur si i tillë - të aktrojë me sukses Feniksin që ringjallet e që premton se do ta çojë Shqipërinë në më shumë se 4 milionë banorë? A mund të besojmë se një individ, sjellja e të cilit vë në siklet edhe pemët, gati-gati shtyn edhe dëshirën e pranverës për të ardhur, mund të ketë më besimin real për ca punë publike, kuptohet nëse kanë mbetur ende të tilla në këtë vend?

Metamorfoza e Ilir Metës nuk është e papritur. Ajo është si të thuash thelbi i tij i vërtetë, natyra reale, dominuar nga instinktet dhe intuita dhe nga një përçmim gati fiziologjik për çdo sofistikim. Ne thjesht jemi mësuar me një imazh të administruar televiziv dhe na ka shpëtuar çobani poshtë kostumit.

Megjithatë ne mund të themi se kjo që po bën sot z. Meta, ose më saktë, kjo që po i bëjnë nervat atij, nuk i bën edhe aq dëm vendit. I bën dëm më shumë investimit 30 vjeçar të tij në politikë, pasi po të jetë për ne që sodisim politikën, na jepet rasti të kuptojmë edhe në një sens klinik se kush drejton, si drejton dhe në fund të fundit se cili është niveli ynë- i të gjithëve - për përgjegjësinë publike. Merr më shumë vlerë kjo pasi z. Meta po e mbyll aty ku e filloi “torollaku” Edi Rama, apo aty ku ka qenë edhe Sali Berisha me ofshamat e veta dhe britmat shpellare. Këta jemi në fund të fundit, ndaj mbetet të themi se ne u martuam me Demokracinë pasi ajo ishte zhvirgjëruar.

s.zaimi