Këshilltarë dhe pajisje ushtarake ruse kanë mbërritur në Niger, pas lajmit për largimin e forcave amerikane.

Sipas televizionit shtetëror, një grup i parë prej rreth 100 këshilltarësh rusë kishte mbërritur në Niger më 10 prill së bashku me sistemet e mbrojtjes ajrore.

Dy transportues ushtarakë mbërritën të shtunën, sipas Tele Sahel, i cili raporton se Rusia ka dërguar më parë tre aeroplanë mallrash me material ushtarak dhe instruktorë.

Korpusi i Afrikës, i parë si pasardhës i grupit paraushtarak Wagner në Afrikë, konfirmoi mbërritjen e instruktorëve në një postim në llogarinë e grupit në Telegram.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaroi të enjten se trupat ruse janë instaluar në një bazë ajrore të Nigerisë pranë aeroportit të Niamey, ku strehohen edhe trupat amerikane.

Regjimi ushtarak i Nigerit, i cili e mori pushtetin përmes një grushti shteti në korrik 2023, dëboi trupat franceze me bazë në vend dhe e cilësoi marrëveshjen ushtarake të qeverisë së mëparshme me Shtetet e Bashkuara, si të "imponuar në mënyrë të njëanshme".

Uashingtoni ra dakord në prill të tërheqë rreth 1000 ushtarët e tij në vend. Forcat amerikane kanë një bazë kyçe dronësh pranë Agadez, të ndërtuar me një kosto prej rreth 100 milionë dollarë.

Udhëheqësit ushtarakë të Nigerit janë afruar më shumë me Rusinë, siç kanë bërë fqinjët Mali dhe Burkina Faso, të cilat gjithashtu qeverisen nga udhëheqës ushtarakë të dalë nga një grusht shteti dhe po luftojnë grupet rebele të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik.