Kosova nuk pranon që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryeministri Albin Kurti e konsideron absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin, si kusht për anëtarësim në KiE.

Kurti thotë se votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në prill ka provuar se Kosova i ka përmbushur kushtet dhe një kusht i ri cenon standardet e anëtarësimit.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim”, ka thënë ai.