Opozita mblodhi një numër të konsiderueshëm qytetarësh në protestën para Kryeministrisë. Protesta nisi me fjalimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile fillimisht, të cilët u pasuan nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Fjala e kreut të demokratëve, Sali Berisha, shënoi edhe acarimin e parë dhe të vetëm të disa  protestuesve, të cilët hodhën molotov drejt dyerve të Kryeministrisë.

Përmes një fjalimi të regjistruar paraprakisht, i cili u shfaq në ekran për të pranishmit, kryetari i PD-së u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të bëhen bashkë për të shtruar rrugën drejt zgjedhjeve të reja.  

“Vetëm zgjedhje të lira janë shpëtimi i Shqipërisë, por me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Të bashkohemi për qeveri teknike. Kushtrimi im shkon për socialistët e zhgënjyer dhe ata pa partitë. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Të bashkohemi për të lidhur besën për qeveri teknike. Me zgjedhje të lira ne do fitojmë. Edi Rama, mos e drejto Shqipërinë drejt greminës, prano qeverinë teknike. Më të gjithë Evropën po ndodh rotacioni”, u shpreh Berisha.

Protesta e 11 korrikut nuk i kaloi përmasat e asaj të 20 shkurtit. Ndërsa pjesëmarrja nuk solli ndonjë risi, nuk pati të tillë as përmbajtja. Përtej kërkesës për qeveri teknike, ajo nuk ndryshoi shumë nga tubimet e përnatshme në rrugën “Mustafa Matohiti”.