Fredi Beleri ka siguruar lejen për të udhëtuar drejt Strasburgut, ku do të betohet si eurodeputet.

Mediat greke raportojnë se Beleri do të udhëtojë të hënën drejt Athinës, nga ku më pas do të zhvendoset në Strasburg, për të marrë pjesë në mbledhjen e PE si eurodeputet i zgjedhur.

ERT raporton se “Fredi Beleri ka marrë leje për të shkuar në Strasburg dhe për t’u betuar si deputet i Parlamentit Evropian. Ai do të fluturojë për në Athinë të hënën në mëngjes dhe më pas do të transferohet në Strasburg”.

Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve pritet të shprehet të shtunën.

Beleri e fitoi mandatin e eurodeputetit në zgjedhjet europiane të qershorit, nën siglën e Demokracisë së Re të kryeministrit grek, Micotakis.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës nuk u betua kurrë si i tillë, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Ai u shpall fitues ndërkohë që ndodhej në burg për akuzën e blerjes së votës.

Një vit pas arrestimit, në fillim të muajit maj, Beleri u dënua me dy vjet burg për korrupsion në zgjedhje. Përgjatë një viti, Beleri e kërkoi të drejtën për t’u lejuar të betohej si kryebashkiak i zgjedhur me shumicën e votave të qytetarëve të Himarës, por u refuzua në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Vetëm një muaj pas vendimit, ai u zgjodh eurodeputet me 237 mijë vota, duke u renditur i katërti më i votuar në shtetin helen.