Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Mirela Rexhepi ka hedhur poshtë akuzat e deputeteve të opozitës, Zhani Gjergji dhe Albana Vokshi duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të fshihet apo ndryshohet data e skadencës për barnat pasi çdo veprim kryhet online”. Kështu raportohet sot të jetë mbrojtur kjo zyrtare duke vijuar me alibinë e kontrollit në distancë të cilësisë dhe sigurisë. Rexhepi shtoi mandej se “sistemi informatik nuk varet nga QSUNT, por kontrollohet dhe verifikohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit”.

Vazhdon mandej sqarimi:

Në 18/04/23 ka ardhur një sasi donacioni e cila është e ruajtur në spital  dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të ndërrohet data e skadencës. Donacioni ka ardhur nga Italia në vijim të një marrëveshjeje që shteti ka me Italinë për medikamente. Pasi vijnë në Shqipëri kolaudohen, pajisen me pullë nga Agjencia e Barnave e cila siguron cilësinë e barnave dhe vetëm pasi kolaudohet hyn në farmaci dhe përdoret për pacientët. Në momentin që kalon datën e skadencës është e pamundur që ilaçi të përdoret dhe t’i ndryshohet data...Farmacia ka detyrimin që komunikimin ta ketë me shefat e shërbimit dhe nuk kemi kontakt me pacientët. Ne njoftojmë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me shefat e shërbimeve.

Ju siguroj se nuk ka ndodhur ndryshimi i datës së skadencës... Për Spitalin Onkologjik, dalja e barnave behet përmes një makine frigoriferike dhe i dorëzohet kryeinfermierit. Asnjëherë nuk ndodh që të dorëzohet terapia e kimios tek vetë pacienti. Pasi dorëzohet receta, përgatitet nga 3 farmacistë. Kërkesa për barna bëhet përmes një recete me dy kopje ku njëra ruhet në farmaci dhe tjetra në kartelën klinike

Pyetja që të vjen ndërmend është: Kush po të beson më? Sëmundja është nja hall i madh, por hallit bilogjik i shtohet halli i Rexhepëve, Koçijve dhe të tjerëve që me alibitë që nuk mbarojnë vetëm sa e helmojnë atë pak shpresë që ka mbetur te njeriu.

Shikoni sesi kjo drejtuese administrative flet: ajo përshkruan procedurën e ngritur dhe refuzon të sqarojë se cilat janë mangësitë e saj dhe mënyra sesi ajo mund të manipulohet. A nuk ishte skandali tek Onkologjiku rast manipulimi? Siç u shpreh edhe eprorja e saj? Krah Rexhepit ka qenë edhe ministrja histerike e Shëndetësisë, si për të thënë që “ja, po flet e zonja e punës”.

Kush i ha këto përralla? Kush vazhdon të besojë më këta sidomos për shëndetësinë, që e prek kushdo? Kancerin më mirë ta kalosh në shtëpi sesa të përfundosh te këto kërma të qelbura njerëzore. Ose do bërë hall e do gjetur një vrimë jashtë. Çdo njeri, çdo njeri, edhe më i fundit, meriton të mos përfundojë në QSUNT që është më keq se ferri, pasi aty ndëshkim kryesor është indiferenca për jetën dhe trajtimi i saj si Pazar.