Pas zgjedhjeve lokale në Himarë ka patur një zhvillim interesant përtej të majtës dhe të djathtës. Dhe këtë transhedencë e arrin vetëm patriotizmi i sinqertë i shqiptarëve që ndjejnë se kanë përgjegjësinë t’u çelin sytë shqiptarëve të tjerë që nuk po kuptojnë sesa dëm po i bëjnë vendit me ndasitë që po fusin.

E nën këtë emër patriotizmi origjinal, të ndjerë, të përgjithshëm, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Përgjithshme ka publikuar dy letra dashurie; njërën për Vangjel Tavon e tjetra për Flamur Nokën.

Të na lejohet të supozojmë se Tavo si doktor që është, edhe ka marrë ndonjë letër. Po Flamur Nokës i ka shkruar ndonjëherë kush letër? E sidomos letër dashurie si ato që dërgoheshin qëmoti nga ushtarët e vitit të parë:

I dashur shok …

Dyshojmë se jo, ndaj kjo letër mundet edhe ta lërë top në vend Flamurin, zemra e të cilit mund të kapet gafil me ethe gushti, nga një goxha deklaratë: I dashur Flamur!

Shkruan e shkruan Ardit Bidua për Vangjelin e Flamurin, jo se u drejtohet atyre, por sepse po regjistron veten në publicistikën e viteve 2020 për çështjen e moçme të kombësisë sonë, ku e do ai vendin e vet. I shkruan Vangjelit për besimin e shqiptarëve, e me siguri Vangua ia ka teleftaisur një mesazh se ia do puna.

I shkruan edhe Flamurit për lodrat që po bëhen me Lukovën e Nivicën, e se i ardhka keq “që lebërve të mi bregas e kurveleshlarë nuk u lini hapësirë të flitet për Kakome e Krorëz”. Kurveleshlarët – e dinim kurveleshas deri më tani – kanë gjetur pra zërin që të flitet për fajet e mëdha që u janë bërë e që i kanë degdisur në pikë të hallit.

E mund të vazhdojë kjo “letër nga lart” që frymëzohet nga poshtë me të gjithë shëllirën e vet patetike aq sa të vjen siklet nga çdo fjali pasardhëse.

Ajo që të çudit dhe të lë me pyetje, është fakti se këtu është vendi që të bën, apo janë individë të caktuar që janë sëmurë rëndë nga filmi i vetëm që kanë parë në jetë: ai me veten?

Si ka mundësi që rendet nga një delir në tjetrin, nga një epsh në tjetrin duke stisur rivalitete e armiqësi, për të ardhur në fund në nje letër dashurie për Vangon nga Dropulli dhe Flamurin nga Kukësi, të dy të kauzës vorioepirote siç na thotë Bidua, të cilëve me këshillim ekumenik u kujtohet sesa e hapur është për ta bukëvalja e shqiptarisë së Tiranës. Sesa ajo i bën të gjithë manarë të së Mirës, të cilën na e mollois vetëm Bidua dhe ata rreth tij. 

Lexon Bidon dhe e kupton pse adhurohej Pitkini në kohë të Enver Hoxhës te ne. O Bido! Nisi një letër edhe Kristaq Kiços o Bido, se po pret i ziu e është bërë keq! Se edhe ai nga MEGA u mor që ta sjellësh ti në udhën e mbarë!

s.zaimi