SHBA dhe CIA e kanë përdorur aplikacionin e koduar të mediave sociale Telegram për të nxitur trazira dhe lëvizje proteste kundër qeverive të huaja që i konsideron të padëshirueshme.

Ish-zyrtari i administratës Trump dhe aktivisti për lirinë e fjalës, Mike Benz, është shprehur në një intervistë për Tucker Carlson se Telegrami ka qenë i preferuari i “CIA-s, Departamentit të Shtetit dhe USAID-it" për operacionet politike në mbarë botën, për shkak të gati miliardë përdoruesve të tij dhe lehtësisë me të cilën ata mund të orientohen drejt kanaleve ku rekrutohen pa problem.

Benz, i cili ka qenë në Departamentin e Shtetit nën administratratën Trump, tani drejton Fondacionin Mbikëqyrës të Lirisë së Fjalës për Lirinë Online.

I pyetur për një rol të mundshëm të SHBA-së në arrestimin e bashkëthemeluesit dhe CEO të Telegram, Pavel Durov, ai u shpreh se rasti përputhet me modelin e taktikave të "pushtetit të butë" që SHBA ka ndjekur në të kaluarën.

SHBA-të e kanë mbrojtur lirinë e fjalës për dekada të tëra, sepse kjo i lejon asaj të ndërtojë rezistencë dhe lëvizje politike ose paraushtarake "në vendet ku Departamenti i Shtetit i SHBA kërkon kontroll politik", tha ish-zyrtari. Telegram, sipas tij, ka qenë i rëndësishëm në këtë përpjekje.

Arsyeja që "26 OJQ të financuara nga qeveria amerikane" e dënuan Rusinë për përpjekjen për të ndaluar Telegramin në vitin 2018 ishte se "Departamenti i Shtetit i SHBA-së po e përdorte Telegramin", duke shfrytëzuar enkriptimin e tij dhe popullaritetin lokal "për të nxitur protesta dhe trazira brenda Rusisë - ashtu siç bëri në Bjellorusi, Iran, Hong Kong dhe u përpoq të bënte në Kinë”, tha ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit.

Fakti që Telegram është i kriptuar e bën atë një mjet të fuqishëm për të shmangur kontrollin e shtetit mbi median dhe për të lejuar “grupet politike ose disidentët e financuar nga SHBA-ja të grumbullojnë dhjetëra mijëra mbështetës”, shtoi ai.

Benz pretendon se Telegram ishte "kanali kryesor" përmes të cilit SHBA "po orkestronte në mënyrë efektive një revolucion në Bjellorusi" në vitin 2020.