Kina do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” pasi SHBA i shiti Tajvanit një sasi armësh në vlerë 2 miliardë dollarë. Pekini nuk e ka pritur mirë këtë zhvillim të ri, duke paralajmëruar masa të reja që do të konfirmojnë sovranitetin e tij mbi ishullin e vetëqeverisur.
Paketa e miratuar nga DASH përfshin sisteme të avancuara raketore tokë-ajër dhe radar, si pjesë e përpjekjeve të tij për të kundërshtuar fuqinë ushtarake në rritje të Kinës në Azi-Paqësor.
Administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden e ka bërë kundërshtimin dominimit ushtarak dhe ekonomik në rritje të Kinës në rajon shtyllë kryesore të politikës së saj të jashtme.
Marrëveshja pret miratimin nga Kongresi.
Ministria e Mbrojtjes e Taipeit shprehu "mirënjohjen e saj të sinqertë" për marrëveshjen, duke thënë se ajo "do të ndihmonte ushtrinë të vazhdojë të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj të mbrojtjes dhe të ruajë së bashku paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit".
Ministria e Jashtme e Pekinit u përgjigj në një deklaratë, me të cilën theksohet se paketa e fundit e armëve “shkel seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës, dëmton seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin” në ngushticë.
Duke e dënuar një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme kineze shtoi se Pekini “do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial”.
Kina, e cila e ka quajtur sovranitetin në Tajvan një "vijë të kuqe" që nuk duhet kaluar, ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të vënë Tajvanin nën kontrollin e saj.
Pekini mban pothuajse çdo ditë avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake rreth ishullit demokratik dhe zhvilloi lojëra luftarake në shkallë të gjerë në afërsi të tij këtë muaj.