Televizioni me licencë Kombëtare “Klan” i kushton një kronikë sot, turizmit në Shqipëri. Kronika hyn “te lajmet nga bota” për Shqipërinë, sepse është asgjë më shumë sesa një përkthim i shkurtuar i një shkrimi të një reviste spanjolle, “Hola”, për turizmin këtu.

"Bregdeti shqiptar: një perlë sekrete në Mesdhe, e njohur si ‘Karaibet Evropiane". Ky është titulli. Kaq mjafton, që reportazhi entuziast të merret, punohet, të nxirren planet dhe ja: perla sekrete shkel në Kinostudio.

Në të vërtetë nëse sheh faqen online të revistës, të gjitha shkrimet për turizmin kalojnë me tituj sensacionalë. Kjo është zgjedhja e medias në fjalë. E lodhshmja këtu është që materiale të tilla promocioni merren nga turshitë mediatike në Tiranë e përsërisin pa ndalim rrëzëllitjen e mrekullueshme të këtij vendi që vetëm i tillë nuk është.

Cili idiot, se idiote nuk ka me përkufizim, do të mendonte se në Spanjë apo Itali, Greqi apo Kroaci dhe Francë do të shihnin për perlë një vend tjetër të Mesdheut? Që është një basen i mbyllur që karakterizohet nga një kulturë jetësore e përbashkët, ngjashmëri gjeofizike, kulinarike dhe klimaterike? Ku është perla, e ku llagëmi në këtë rajon që është tej e tej, i dëshirueshëm për t’u parë?

Çfarë vlere ka te shqiptarët promocioni i Shqipërisë sot? Pjesa më e madhe e qyetarëve e kanë shëtitur këtë vend dhe dinë të çmojnë se sa mirë është, sa shtrenjtë apo lirë e kështu me radhë.

Dhe a merr revista “Hola” materiale të redaksisë së lajmeve të Tv Klan për Spanjën? Ka rëndësi kjo pyetje edhe për të sqaruar komplekset e inferioritetit që nuk po i nxjerr asnjë parfum dhe asnjë lloj luksi në këtë vrimë kulturore të Europës.

s.zaimi