Gjykata e Arbitrazhit refuzon të rishqyrtojë dëmshpërblimin 108 milionë euro, që qeveria shqiptare duhet t’i shlyejë biznesmenit italian, Françesko Beketi. Kërkesa për rishikim e palës shqiptare, e depozituar pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Bankën Botërore, u hodh poshtë me argumentin se nuk ka bazë ligjore.

Vendimi për dëmshpërblimin e Beketit nga qeveria shqiptare është marrë në vitin 2019, por sipas trupës gjykuese gjatë kësaj kohe, Shqipëria e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, nuk ka paraqitur asnjë fakt të ri.

Pas këtij vendimi, Shqipëria i detyrohet biznesmenit italian 108 milionë euro, plus shpenzimet e procesit gjyqësor të cilat kapin vlerën e 145 mijë eurove.

Vendimi final vjen 8 vjet pasi Beketi e çoi në Gjykatën e Arbitrazhit vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur Agon Channel. Dy vjet më parë, gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Rama tha se kishte strategjinë që do të shmangte gjobën për rastin Beketi. Por deklarata në MCN TV rezultoi veçse një premtim fushate dhe qeveria shmangu çdo koment në lidhje me çështjen në fjalë pas zgjedhjeve të 2021-shit.