Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e Prokurorisë për “21 Janarin” dhe kërkesën e organit të akuzës për dënimin me 23 vjet burg të Ndrea Prendit dhe 25 vjet të gardistit Agim Llupo. Këta dy të fundit ishin dënuar nga Gjykata e Apelit, i pari me 1 vit burg, ndrësa i dyti me 3 vite.Vendimi u mor pasi çështja u mbajt për 3 vite në Dhomën e Këshillimit. Këtë vendim kyeministri Rama e komentoi me një postim në facebook: “XhMziu i pafajshëm dje pas një farse të neveritshme 21janari i mohuar sot pas një zvarritjeje kriminale; ja pse s’duan reformë në drejtësi!”, shkruan Rama.

Nëse është siç thotë kryeministri, atëherë nuk kemi pse të besojmë që edhe vendimet e Gjykatës së Lartë për shpifjet e Palokës ndaj tij, apo lirimi i Armando Prengës janë më pak farsë sesa pafajësia e Xhelal Mziut. Sipas këtij argumentimi edhe këto vendime do të meritonin të njëjtin koment, por kjo nuk ka ndodhur. Madje ka ndodhur e kundërta, kreyministri ka dalë i krekosur nga beteja në emër të ligjit. Përveç kësaj, rekursin në Gjykatë e ka kërkuar një tjetër hallkë e sistemit të drejtësisë, që është anatemuar nga zoti Rama.

Partia Socialiste nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të zbardhur 21 Janarin ndonëse premtoi pajtimin e një studioje ligjore për të çuar përpara procesin. Ndaj dhe një koment në facebook nuk mund të mbulojë hipokrizinë e PS dhe vetë kryeministrit me 21 Janarin, pavarësisht nevojës që ka vendi për reformimin e drejtësisë. Nga ana tjetër nuk ka patur asnjë koment për këtë vendim nga pala tjetër e akuzuar drejtëpërdrejt për vrasjet e 4 protestuesve, duke mos shfaqur asnjë notë triumfalizmi, për një ngjarje me shumë pikëpyetje që mesa duket do të mbeten të tilla megjithë angazhimin e ekspertëve dhe miqve tanë amerikanë, këta të fundit të angazhuar në mbarëvajtjen e protestës.