Bashkimi Europian ka dalë sot me një deklaratë rreth zhvillimeve në Veriun e Kosovës përmes së cilës dënon në “termat “më të fuqishëm” aktet e dhunës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, zbatuesve të ligjit dhe mediave dhe bën thirrje për çetensionim të situatës.

Ne u kërkojmë si Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa të menjëhershme dhe të pakushtëzuara për të de-përshkallëzuar situatën, të ndalin së përdoruri retorikë ndarëse dhe veprime të mëtejshme të pakoordinuara

thuhet në deklaratë.

Më tej, Bashkimi Europian ka mbajtur linjën e njëanshme të qëndrimit të vet teksa në një paragraf më poshtë, bën thirrje autoriteteve të Prishtinës që të ndalë operacionet policore në afërsi të ndërtesave bashkiake në Veriun e Kosovës.

Kryebashkiakët duhet të zbatojnë detyrat e tyre në ndërtesa të tjera. Zgjedhjet të reja duhet të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur në të katër bashkitë dhe të jenë gjithëpërfshirëse

thuhet në deklaratë.

Siç shihet, Bashkimi Europian po kërkon që ligji të mos zbatohet kësaj radhe sepse ashtu ia do mideja Beogradit, duke ushtruar një presion që ka për të lënë gjurmë në perceptimin e unionit në botën shqiptare. Sepse trajtimi i diferencuar në këtë rast është evident, sikundër është e qartë se BE-ja nuk e ka atë forcë që pretendon se e ka.

Është edhe më cinike në këtë kuadër ndërhyrja e gagarelit të Tiranës, kryeministrit Edi Rama, që entuziast për deklaratën i ka bërë thirrje “Kosovës vëllazërore dhe Serbisë mike” që të veprojnë sa më shpejt, a thua ky qenka zëri i arsyes në rajon, ndonëse edhe më naivi e kupton se loja e kësaj kukuvajke është izolimi i kryeministrit të Kosovës. Të shpresojmë se nuk do të harrohet kjo thikë në shpinë që është më e panevojshme sesa tensionet në Veri, edhe pse injorimi është kafshatë që nuk kapërdihet në Tiranë. 

s.zaimi