Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e lidh votën pro të Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO me përpjekjet e vendit të tij për të hyrë në BE. Lëvizja e Erdoganit për të lidhur perspektivat e Suedisë në NATO me integrimin e Turqisë në BE erdhi ndërsa liderët e aleancës u mblodhën për samitin e Vilniusit në Lituani.

"Unë u bëj thirrje atyre që e kanë mbajtur Turqinë në pritje pas derës së BE-së për më shumë se 50 vjet, t'i hapin rrugën Turqisë dhe ne do t'i hapim rrugën Suedisë," tha Erdogan në një konferencë për shtyp.

Zyrtarët e NATO-s dhe BE-së u përgjigjën se Suedia i ka përmbushur kërkesat e mëparshme të Ankarasë dhe se anëtarësimi i saj është kritik për të forcuar mbrojtjen e Evropës në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane i kanë bërë presion Ankarasë që të mbështesë pranimin e Suedisë në NATO-n pasi vendi nordik la pas dekada të tëra neutraliteti pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar.

Suedia ka bërë disa lëshime në një përpjekje për të joshur Ankaranë, duke përfshirë miratimin e një ligji të ri kundër terrorizmit. Por Erdogan ka këmbëngulur për masa të mëtejshme, duke përfshirë frenimin e demonstratave publike nga mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është klasifikuar si një organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe Britania e Madhe, si dhe nga vetë Turqia.

Turqia e ka shprehur ambicien për t’iu bashkuar BE-së në 1987 dhe u shpall e pranueshme për anëtarësim të mundshëm 12 vjet më pas. Por marrëdhëniet janë përkeqësuar pasi Erdogan, i cili po hyn në dekadën e tij të tretë si lider i Turqisë, ka rrëshqitur drejt autokracisë.

Pas protestave mbarëkombëtare në vitin 2013 dhe një përpjekjeje për grusht shteti tre vjet më vonë, Erdogan ka shkelur liritë civile dhe ka ndërmarrë një spastrim të madh në gjyqësor, ushtri, institucionet qeveritare dhe akademi.

Parlamenti Evropian votoi në vitin 2019 për të pezulluar bisedimet e pranimit të Turqisë në BE. Lëvizja e Turqisë në vitin 2021 për t'u tërhequr nga një traktat historik i Këshillit të Evropës që synon të parandalojë dhunën ndaj grave, i njohur si Konventa e Stambollit, nxiti gjithashtu shqetësim të thellë në BE.